Osmani: Nga sot 14 prilli do të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës

Osmani: Nga sot 14 prilli do të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës

Aktuale April 14, 2021 - 12:02

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nga sot e tutje 14 prilli, nën patronatin e presidentes, do të shënohet si Dita e Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një postimi Facebook, Osmani bëri të ditur se në konsultim me Qeverinë e Kosovës, do të angazhohet për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur institucionalë për ta shndërruar 14 prillin në një ditë të shënuar me ligj.

Këto deklarata Osmani i bëri pas takimit me të mbijetuarën e dhunës seksuale, njëherësh deputeten e Kuvendit, Vasfije Krasniqi-Goodman.

“14 prilli për dikë mund të jetë ditë e një përvjetori të rëndësishëm, datë e lindjes, ditë e parë e punës, e për dikë thjesht një ditë e zakonshme. Por për Vasfije Krasniqin mbetet përherë data kur jeta e saj ndryshoi përgjithmonë. Atë ditë të vitit 1999 ajo u rrëmbye me forcë dhe u dhunua në mënyrë barbare nga forcat serbe. Në këtë ditë barra e luftës për të ka marrë kuptim tjetër, u shtua aq shumë në peshë e u bë përjetësisht e pashlyeshme”, është shprehur ajo.

Tutje, Osmani ka thënë se barrën që e bart Krasniqi-Goodman nuk duhet të lejohet që ta bartë e vetme, sepse sipas saj kjo është e padrejtë dhe e papranueshme.

“Barrën që e bart Vasfija sot, e mbijetuar e dhunës seksuale në luftë, nuk guxojmë kurrsesi të lejojmë ta bartë e vetme, sepse kjo është plotësisht e padrejtë dhe e papranueshme. Ashtu siç e ndau ajo guximshëm dhimbjen, guximin e të vërtetën me ne e me gjithë botën, po ashtu duhet të luftojmë ne krah për krah me të dhe shumë gra e burra të tjerë si ajo, për të treguar të vërtetën e për të kërkuar drejtësi. Por siç Vasfija ia doli të jetojë, të mbijetojë, të triumfojë, shembulli e guximi i saj le të na shërbejnë si udhërrëfyes në kërkimin për drejtësi e në komunikimin me të tjerët për këtë pjesë të historisë sonë. Vasfija nuk është e vetme – as në këtë përjetim, por as edhe në rrugëtimin që ka marrë për sjelljen e drejtësisë. Ajo është sot zëri i më shumë se 20.000 të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovën tonë. Sot, përveçqë diskutuam se duhet të vazhdojmë të flasim gjithnjë e më zëshëm për krimet e kryera nga Serbia e që ende po i mohon, u pajtuam që 14 prilli nga sot e tutje, nën patronatin e presidentes së Republikës së Kosovës, të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu i premtova që në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të angazhohemi për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur institucionalë për ta shndërruar datën 14 prill në një ditë të shënuar edhe me ligj. Vasfije, na ke pas, ti dhe të gjithë mbi 20.000 të mbijetuar të dhunës seksuale të regjimit barbar serb”, ka shkruar presidentja Vjosa Osmani në Facebook. /Zëri