AAK-ja: Qeveria “Kurti” e ka zhurmën si tupan e punët kërkah

AAK-ja: Qeveria “Kurti” e ka zhurmën si tupan e punët kërkah

Aktuale April 14, 2021 - 12:30

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, së bashku me deputeten e kësaj partie Teuta Haxhiun kanë mbajtur një konferencë për media, raporton Zeri.info

Tahiri ka kritikuar kryeministrin e vendit Albin Kurtin, pasi ky i fundit po merret me fushatat në Shqipëri.

Ai tha se qeveria e Kurtit është e pushtetit dhe jo e shtetit.

“Sot janë bërë dy muaj prejse kanë përfunduar zgjedhjet dhe qeveria ‘Kurti’ është duke qeverisur pa program. Po e shohim se kjo qeveri është e pushtetit dhe jo e shtetit dhe po shihet që e ka zhurmën shumë të madhe e punën kërkah. (Zhurmën si tupan e punën kërkah). Dhe po shohim se ka kohë që të shkoj në fushata në Shqipëri dhe vendin ta mbyllë dhe mos të merret me detyra prioritare të Qeverisë”, tha Tahiri.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka theksuar se shefi i ekzekutivit të shtetit është ende pa program. Ajo thotë se deri më tani nga qeveria e Kurtit janë parë vetëm veprime populiste dhe nepotizëm.

“Jemi në përmbyllje të muajit të parë të qeverisë ‘Kurti’ dhe ende nuk kemi program të tij. Si rezultat ne deri më tani kemi parë veprime populiste dhe shfaqje të nepotizmit, lëndim të raporteve me shtetin tonë amë, veprime që janë kritikuar ashpër edhe nga mediat edhe nga qytetarët”, tha Haxhiu.

E njëjta ka kritikuar Kurtin për fushatën në Shqipëri, duke thënë se “i zoti i shtëpisë prioritet duhet ta ketë shtëpinë e tij”.

“Kemi parë një vendim të padrejtë dhe pa bazë shkencore që u godit ekonomia në vend me mbylljen e gastronomisë dhe vendosjen e orës policore. Si është mundur që në të njëjtën anë të mbyllësh shtëpinë tënde, ndërsa në anën tjetër të shfaqësh lojë të djallit në mënyrë më ta pakuptimtë që të shkosh në shtetin amë, madje duke lënduar edhe demokracinë. Një paradoks që vetëm kjo Qeveri mund ta bëjë. I zoti i shtëpisë prioritet duhet ta ketë shtëpinë e vet”, ka thënë Haxhiu.

AAK-ja i bën thirrje Qeverisë që t’i informojë ata dhe qytetarët për programin qeverisës.

“Aleanca i bën thirrje të na informojë se ku ka arritur me programim qeverisës dhe kur do të dalë me atë program dhe kur do ta shohim ne dhe qytetarët”. /Zëri