PDK: Qeveria “Kurti” po e mohon historinë e re të Kosovës, ministrja Gërvalla-Schwarz përqafoi narracionin serb dhe rus

PDK: Qeveria “Kurti” po e mohon historinë e re të Kosovës, ministrja Gërvalla-Schwarz përqafoi narracionin serb dhe rus

Aktuale April 14, 2021 - 13:39

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka mbajtur sot konferencë për media, ku ka kritikuar qasjen e qeverisë “Kurti” dhe të presidentes.

Sipas saj, këta të fundit kanë mohuar historinë më të re të Kosovës, trashëgiminë politike dhe vlerat kombëtare.

Sipas Deliu-Kodrës, Qeveria e re ka hequr dorë nga politika e jashtme e Kosovës, e ka suspenduar atë, duke e shndërruar në politikë të brendshme dhe në mekanizëm të thashethemeve.

"Ky pushtet është larguar nga politika e jashtme e koordinuar me miqtë tonë perëndimorë dhe është përafruar me narracionin e Rusisë dhe të Serbisë. Imazhi që këta qeveritarë, këta mohues të shtetit tonë, janë duke portretizuar nëpër botë për vendin është një Kosovë pa histori, pa shpalljen e pavarësisë, pa Kosovën e njohur nga 117 shtete, pa Kosovën e anëtarësuar në mbi 60 organizata ndërkombëtare, pa UÇK-në, pa luftën tonë çlirimtare, pa sakrifica, pa suksese dhe pa vlera shtetërore. Ministrja e Jashtme e Kosovës, e verbuar nga inatet politike, nuk tha asnjë fjalë për njohjen e Kosovës nga Izraeli. Këshilli i Sigurimit është terren për afirmim të shtetësisë së Kosovës dhe jo përkrahje të narracionit rus dhe serb për Kosovën. Pa ia kërkuar askush, Donika Gërvalla-Schwarz foli zi e terr në sytë e botës se si Kosova është e pushtuar nga krimi dhe korrupsioni”, ka thënë ajo gjatë kësaj konference, transmeton Zeri.info.

Sipas saj, “fjalimi i djeshëm i Gërvallës shënoi një ditë turpi për Kosovën, që fatkeqësisht u orkestrua nga Qeveria e saj në Prishtinë, ka theksuar se çdo e arritur e Kosovës në politikën e jashtme është meritë e miqve ndërkombëtarë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Madje thotë se “Nëse ata përpiqen t’i mohojnë të arriturat e PDK-së në shtetndërtimin e Kosovës, të paktën të mos sillen naivë duke mohuar meritat e qytetarëve, miqve ndërkombëtarë dhe përqafojnë pa vetëdije narracionin serb e rus në marrëdhëniet ndërkombëtare”. /Zëri