Gërvalla thotë ta ketë parë nënshkrimin e Vitisë me “Pfizer”-in

Gërvalla thotë ta ketë parë nënshkrimin e Vitisë me “Pfizer”-in

Aktuale April 16, 2021 - 23:58

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka reaguar pas lajmit që u tha se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk ka nënshkruar kontratë për sigurimin e vaksinave Pfizer dhe BionTech.

Gërvalla ka thënë se asgjë të vërtëtë nuk ka në akuzat e sotme të cilat i janë drejtuar Vitisë, teksa ka potencuar se ishte dëshmitare e nënshkrimit të kontratës mes ministri dhe kompanisë Pfizer.

“Absolutisht asgjë të vërtetë nuk ka në akuzat e sotme drejtuar ministrit Vitia, se gjoja nuk paska nënshkruar një kontratë të caktuar dhe në këtë mënyre paska rrezikuar ardhjen e një kontigjenti të caktuar vaksinash. Jam dëshmitare e nënshkrimit të Ministrit Vitia aty ku ky nënshkrim është dashur të vihet”, tha ajo.

Po ashtu, ajo ka siguruar qytetarët se ministri Vitia ka ndërmarrë të gjitha hapat për të mos humbur asnjë vaksinë të vetme për qytetarët e vendit.

“Ju siguroj që Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbi të gjitha Ministri i saj i Shëndetësisë Arben Vitia kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe kanë plotësuar të gjitha kushtet formale për të mos humbur as edhe një vaksinë të vetme për qytetarët e Republikës. Përkundrazi, të gjitha zvarritjet dhe pengesat e paraardhësve tanë të pakujdesshëm i kemi elemininuar dhe në këtë aspekt jemi në një hap me të gjithë fqinjtë tanë”, ka thënë Gërvalla.

Ndërkaq, kryediplomatja tha se asnjë rresht i vetëm nga publikimet e sotme nuk është i vërtetë.

“Më lejoni që me përgjegjësi të plotë t'ju siguroj, si e përfshirë në të gjitha proceset e sigurimit të vaksinave, që as edhe një rrjesht i vetëm nga publikimet e sotme nuk është i vërtetë. Ministria e Shëndetësisë nuk ka rrezikuar asnjë afat të vetëm dhe të gjithë së bashku do të shohim gjatë ditëve në vijim rezultatin e përpjekjeve kolosale për sigurimin e vaksinave për të gjithë qytetarët e Republikës. Spekulimet e përmendura janë thjesht të pavërteta”, tha më tej Gërvalla./Zëri