Ahmeti feston ditëlindjen me familjarë e miq, gjobiten të gjithë për shkelje të masave anti-COVID

Ahmeti feston ditëlindjen me familjarë e miq, gjobiten të gjithë për shkelje të masave anti-COVID

Aktuale April 18, 2021 - 14:07

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mbrëmë ka festuar ditëlindjen e tij në një hapësirë private ku kishte mbledhur rreth 15 persona.

Në mesin e mysafirëve ishin familjarë e miq, por festa i kushtoi goxha shtrenjtë pasi, sipas tij, rreth orës 20:00, ata janë vizituar nga Policia e AUVK-ja.

Të gjithë pjesëmarrësit janë gjobitur me nga 35 euro për mosmbajtje të distancës, raporton Zeri.info.

Këtë ai e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, ndërsa tha se dikush e kishte lajmëruar policinë se aty ishte organizuar një dasmë.

“Mbrëmë kam festuar ditelindjen me familje në një hapësirë private - jo biznis - ku kemi qenë rreth 15 persona prej të cilëve gjysma familjarë (në mes tyre bashkëshortja dhe fëmijët). Ende pa filluar dhe rreth orës 20 (dy orë para orës policore) kanë ardh tre kerre të policisë dhe 2 të Avuk të cilët më kanë thënë se dikush ka lajmëruar dasëm. U çudita se si pa nisur ende një mbledhi familjare në hapësirë private, dikush paska lajmëruar 'dasëm'. Unë kërkova që të gjobitemi sipas ligjit. Unë dhe mysafirët u dënuam me gjoba për mosmbajtje të distancës dhe maskave. Nga 35 euro", shkroi Ahmeti.

Kreu i kryeqytetit tha se nuk dëshiron të hyjë në konspiracione, por se "me sinqeritetin më të madh e falënderoj Policinë e Kosovës dhe AVUK për sjellje profesionale gjatë vizitës".

"Mua mbledhia private më kushtoi më shtrenjtë, por rregullat vlejnë edhe për kryetarin pa marr parasysh se a pajtohem me masat apo jo. P.s. Kjo ishte mënyrë e mirë me tregu se sot kam ditëlindjen”, shkruan Ahmeti në Facebook. /Zëri