Infektuar: 106914
Shëruar: 99628
Vdekur: 2225
Dugolli: Shqipëria të mbajë qëndrim të njëjtë me Kosovën, Serbia të mos marrë territor shqiptar

Dugolli: Shqipëria të mbajë qëndrim të njëjtë me Kosovën, Serbia të mos marrë territor shqiptar

Aktuale May 04, 2021 - 22:58

Dialogu me Serbinë është një temë shumë e rëndësishme në realitetin politik të Kosovës. Publicisti Bujar Dugolli ka treguar qëndrimet që sipas tij duhet të mbajë qeveria e Kosovës për të mos cenuar pavarësinë.

“BE dhe vende të ndryshme dëshirojnë të ketë një proces të ri bisedimesh me Serbinë, por kemi qeveri të re, e cila ka qasje tjetër për dialogun me Serbinë. Qeveria e re do rifillojë bisedimet, por Kosova nuk do jetë çështje, por palë në këtë proces,” thotë publicisti.

Bujar Dugolli shprehet se Kosova bëri një kompromosi duke pranuar pakon e Ahtisarit, por është një shtet i pavarur dhe nuk pranon ridizenjim të kufijve.

“Kosovë bëri një kompromis për statusin duke i dhënë statusin pakicave, sidomos atyre serbe dhe shtetet më të fuqishme e kanë vërtetuar pavarësinë e Kosovës. Ne kemi një fakt të kryer dhe kemi një projekt ndërkombëtar që po sulmohet nga Serbia dhe s’mund të pranojmë ridizenjimi të kufijve,” shprehet profesor për Balkan Talks.

Sipas publicistit Dugolli Shqipëria dhe Kosova duhet të mbajnë të njëjtin qëndrim për të mos lejuar Serbinë të zgjerojë territorit.

“Daçiç ka dashur ndarjen e Kosovës, që ta marrë Serbia dhe ai proces ka dështuar. Ne kemi të bëjmë me një udhëheqje që janë trashëgimtarë të viteve ’90, të cilët shtiren se duan integrimin në BE dhe mbajnë marrëdhënie të mira me Rusinë. Shteti shqiptar duhet të mbajë të njëjtin qëndrim me Kosovën, se nuk mund të ndodhë tani marrja e territoreve shqiptare nga Serbia,” tregon Dugolli.

Së fundmi kryeministri Kurti ka pasur një vizitë në Bruksel dhe sipas publicistit Bujar Dugolli qëndrimi i tij ka qenë dinjitoz, pasi kërkoi që Serbia të jap llogari për luftën.

“Ata duhet të japin llogari për luftën. Kosova dëshiron traktat paqeje, por pala tjetër ka idetë e tyre. Faktori ndërkombëtar duhet të ketë rolin kryesor, pasi nëse nuk e ndëshkojnë Serbinë duhet ta heqin presionin nga Kosove dhe Bosnja se Serbia ishte shkaktar i luftës,” thotë publicisti Bujar Dugolli.

Opozita në Kosovë ka reaguar duke thënë se qeveria e Kurti nuk ka ende një plan konkret për zhvillimin e dialogut, por sipas Dugollit ai ka një pako për bisedimet e dialogut.

“Do paraqitet një plan për dialogun dhe shpresoj që Kurti të kërkojë mendime dhe sugjerime nga opozita, pasi duhet të jenë të përfshirë të gjithë në këtë proces,” u shpreh Dugolli.