Hoxhaj “ngre alarmin”: Albin Kurti është zhdukur

Hoxhaj “ngre alarmin”: Albin Kurti është zhdukur

Aktuale May 06, 2021 - 19:53

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti është zhdukur nga skena publike në kohën kur ministrja e tij, Donika Gërvalla, po përballet me një fushatë tejet të ashpër kundërshtuese, nga e cila po kërkohet të japë dorëheqje nga posti i kryediplomatës pas deklaratave të saja rreth Gjykatës Speciale.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës pati përplasje të ashpra pozitë-opozitë, por në këtë seancë mungoi Kurti. Aty deputetët e partisë në pushtet u deklaruan pro që KOSTT-i të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për 6 muajt e ardhshëm

“Albin Kurti është zhdukur. Të vetmet herë që u pa prej se e mori detyrën si kryeministër ishin shfaqjet e tij gjatë zgjedhjeve në Shqipëri duke ndërhyrë në politikën e brendshme të një shteti. Mungesa e vaksinave, mungesa e programit qeverisës, e transparencës për dialogun, ndarja e 11 milionë eurove për pagesën rrymës së serbëve dhe bizneseve të tyre në veri janë disa nga dështimet e para të plotësuara këto ditë edhe me skandalet e ministrave të tij. Ai është vetëm hija e një kryeministri, që të vetmet deklarata politike i ka “mbrojtjen dhe arsyetimin e qëndrimeve skandaloze të vartësve në kabinetin qeveritar”, thotë Hoxhaj përmes një postimi në Facebook, raporton Zeri.info.

Deputeti i PDK-së nuk la pa reaguar edhe ndaj kryediplomates Donika Gërvalla dhe fjalimit të saj në Kuvend që sipas tij, kjo e fundit “mbrojti” Serbinë.

“E para në listë është ministrja Donika Gërvalla-Schwarz e cila nuk po ndalet së foluri dhe me vetëdije për ‘krimet’ kinse të UÇK-së. Ende nuk e dëgjuam asnjë fjalë për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Kulmi ishte sot në Kuvend, ku në pritje të një kërkimfaljeje prej saj ndaj mijëra viktimave shqiptare në Kosovë, ajo shkoi më tej duke e marrë në mbrojtje Serbinë. Në vend se të tregoj për planet si ministre e jashtme në cilën organizatë do të aplikojë Kosova dhe ku ka ngecur procesi i njohjeve, ajo zgjodhi konfliktin me opozitën. Por përpjekja e sotshme e saj dhe e bashkëpartiakëve për t’ia mbyllur gojën opozitës dështoi. Sepse PDK nuk do të nënshtrohet dhe zmbrapset para asnjë presioni. Sepse Kosova ka një kryeministër hije me qeveri praktikantësh, që agjendën ia diktojnë ministrat e tij me skandale dhe jo me punë për të cilën janë votuar masivisht nga qytetarët e Kosovës”, përfundon ai. /Zëri