Murati ia lë fajin PDK-së e LDK-së për pagesën e rrymës për veriun

Murati ia lë fajin PDK-së e LDK-së për pagesën e rrymës për veriun

Aktuale May 06, 2021 - 21:13

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati thotë se vendimi i sotëm i votuar në seancën e Kuvendit që KOSTT-i të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për 6 muajt e ardhshëm, është barrë dhe problem i cili është bartur nga qeverisja e LDK-së dhe PDK-së.

Sipas tij, vendimi i sotëm i Kuvendit, vetëm i mundëson KOSTT-it të respektojë marrëveshjen me ENTSO-E, dhe Kosovës të ruajë pavarësinë energjetike.

“Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes KOSTT-ENTSOE, Kosova është pavarësuar energjetikisht. Kjo pavarësi nënkupton se tani Kosova operon si bllok rregullues bashkë me Shqipërinë dhe mbledh edhe tarifa për energjinë elektrike që kalon tranzit. Tarifa këto që deri së fundmi i mblidhte Serbia në emër të Kosovës. Si bllok rregullues i pavarur, Kosova duhet të mbajë përgjegjësi për kufijtë e vet, dhe të respektojë marrëveshjen me ENTSO-E. Me fjalë tjera, energjia që kalon tranzit nëpër territorin tonë, aq sa hyn në veri, aq duhet të dalë në jug. Përndryshe llogaritet shfrytëzim i pa-autorizuar i energjisë, dhe shkilet marrëveshja me ENTSO-E. Vendimi i sotëm i Kuvendit, vetëm i mundëson KOSTT-it të respektojë marrëveshjen me ENTSO-E, dhe Kosovës të ruajë pavarësinë energjetike. A duhet të paguajë KOSTT për rrymën e shpenzuar në veri? Jo nuk do të duhej. Për humbjet në veri, përgjegjës do të duhej të ishte KEDS/KESCO, sepse KESCO duhet të mbledhë faturat atje. Për këtë arsye edhe ishte shitur lirë - sepse kishte humbje të mëdha në rrjet, dhe sipas atyre që e falën, vetëm privatizimi do t’i eliminonte humbjet dhe vjedhjet. Por ja që bordi i ZRRE-së, në prill të vitit 2017, i përbërë gjysma PDK e gjysma LDK (sipas frymës së marrëveshjes së koalicionit, ku ishte përcaktuar që të gjitha bordet do t’i ndanin përgjysmë), kishte vendosur që në vend të KEDS-it, barrën e veriut t’ia vendosnin ndërmarrjes publike KOSTT”, deklaron Murati, raporton Zeri.info.

Ai thekson se pikërisht ata që po kundërshtojnë këtë vendim të sotëm të Kuvendit, për t'ua paguar rrymën e shpenzuar serbëve në veri, e kishin ngarkuar të njëjtën në faturat e qytetarëve kosovarë.

“Obligimin për rrymën e veriut, ZRRE-ja e PDK-së dhe LDK-së, e kishte futur në licencën e KOSTT-it. Më saktësisht në Nenin 5 të licencës, sic edhe mund t’a shihni më poshtë. Pra, pikërisht ata që për 20 vite me radhë barrën e rrymës së shpenzuar në veri, fillimisht e ngarkuan në faturat e qytetarëve, e pastaj në licencën e ndërmarrjes publike KOSTT, sot shfaqen të brengosur për qytetarin dhe KOSTT-in”, thotë ministri i Financave Hekuran Murati.

Mirëpo ai thotë se këtë problem do ta zgjidhin por se fillimisht, duhet një bord i ri i ZRRE-së.

“Këtë problem, si shumë probleme tjera që na i kanë lënë, do ta zgjidhim, por problemet e lidhura nyje për 20 vite nuk zgjidhen për një muaj. Hapi i parë drejt zgjidhjes së ketij problemi do të jetë përzgjedhja e një bordi të ri të ZRRE-së me anëtarë me integritet, dhe që e duan shtetin”, përfundoi ministri i Financave, Hekuran Murati. /Zëri

Image