IKD-ja i reagon Haxhiut për “supermenin” Albert Zogaj

IKD-ja i reagon Haxhiut për “supermenin” Albert Zogaj

Aktuale June 17, 2021 - 19:53

Gjatë ditës së sotme, me 70 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi zgjodhi Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, ku kryetar u zgjodh Albert Zogaj, shkruan Zeri.info.

Për propozimin e Zogajt në këtë pozitë kishte reaguar shoqëria civile, ndërsa më i zëshmi ka qenë Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Ky institut i shkroi gjatë ditës së sotme edhe kryeministrin Albin Kurti një kërkesë që të mos procesojnë më tutje me kandidaturën e Zogajn për pozitën në fjalë.

Arsye, sipas IKD-së, ishte se i njëjti mban edhe 8 pozita tjera – 5 në sistemin gjyqësor dhe 3 angazhime tjera shtesë nëpër institucione të ndryshme.

Por, kërkesa e IKD-së nuk u përfill dhe Kuvendi e zgjodhi për kryetar Albert Zogajn. Madje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati kritika ndaj IKD-së, duke thënë se i njëjti institut në të kaluarën ka bërë propozimin e gjykatësit Albert Zogaj për zëvendësanëtar të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, ndërsa tani po e kundërshtojnë emërimin e tij për interesa subjektive.

E për këtë ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi, sipas të cilit ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka keqinformuar deputetët dhe publikun duke shtrembëruar faktet.

“Tendenca e ministres Haxhiu për ta arsyetuar me çdo formë shkeljen e ligjit përmes propozimit dhe zgjedhjes së gjykatësit Albert Zogaj në Komisionin për Provimin e Jurisprudencës është e papranueshme për IKD-në. Ministrja Haxhiu në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës qëllimshëm ka keqinformuar deputetët dhe publikun, duke ofruar informacion të pasaktë dhe duke shtrembëruar faktet. Tendenca e ministres për të zhvendosur debatin nga vendimi i saj kundërligjshëm dhe njollosjes për shkak të kritikës konstruktive, të cilën IKD ua ka bërë të gjitha pushteteve, përfshirë edhe tani kritikën për Qeverinë Kurti 2, dëshmon qasjen ndryshe që kjo qeveri ka në raport me shoqërinë civile sa kanë qenë në opozitë dhe me të qenit sot në pushtet”, thuhet në reagimin e IKD-së.

IKD-ja thotë se kur është propozuar Albert Zogaj për këtë pozitë në Qeverinë “Kurti 1”, është aprovuar pasi që i njëjti nuk kishte mbajtur numër të madh të pozitave siç mban tani.

“Në kohën e Qeverisë Kurti 1, kur ishte zgjedhur në postin e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sikurse me të gjithë ministrat e Drejtësisë, IKD ka mbajtur takim zyrtar, në të cilin është diskutuar për temat që lidhen me mandatin e Ministrisë. Ndër të tjera, është diskutuar edhe çështja e anëtarëve të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, për të cilin, me kërkesë të ministres Haxhiu, IKD ka bërë disa rekomandime, bazuar në ekspertizën dhe përvojën që ka për sistemin e drejtësisë, përfshirë propozimin e z. Zogaj për zëvendës të anëtarit të një prej lëndëve në Komisionin për Provim të Jurisprudencës. Ky propozim i IKD-së në atë kohë, nuk ka qenë në kundërshtim me ligjin për këto arsye: Në shkurt 2020, në kohën e Qeverisë Kurti 1, gjykatësi Albert Zogaj nuk ka mbajtur numër të madh të pozitave. I njëjti ka qenë vetëm gjykatës i Gjykatës së Apelit dhe ligjërues në një kolegj privat dhe në Akademi të Drejtësisë si dhe angazhime tjera jo të rregullta”, thuhet në këtë reagim.

KDI-ja thotë se Zogaj u bë i papërshtatshëm këtë vit, kur i njëjti u emërua edhe në disa pozita të tjera.

“Rrethanat që e bëjnë të papërshtatshëm z. Zogaj për Kryetar të Komisionit, kanë ndodhur në muajin mars të vitit 2021, kur z. Zogaj emërohet anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe në janar të vitit 2021, kur i njëjti, krahas pozitave si gjykatës në Gjykatën Supreme dhe të anëtarit në KGJK, nënshkruan edhe një kontratë punë me një OJQ. Në mars të 2021, me pranimin e pozitës së anëtarit të KGJK, z. Zogaj caktohet edhe në këto funksione shtesë: 1. Anëtar rezervë në Komisionin e Përhershëm për Administrimin e Gjykatave, 2. Anëtar i Komisionit Vlerësues për kandidatët për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren dhe 3. Anëtar i grupit punues për hartimin e raportit fakt-mbledhës për funksionimin e administratës gjyqësore”, thuhet në reagim.

Prandaj, thotë KDI-ja në reagimin drejtuar ministres Haxhiu, emërimi i Zogaj në shkurt të vitit 2020 nuk ka paraqitur pengesë ligjore për të njëjtin. Pengesa ligjore, sipas këtij instituti, është shfaqur në momentin që i njëjti është emëruar anëtar i KGJK-së në mars të vitit 2021. Rrjedhimisht, siç thotë KDI-ja, “në kohën kur ishte rekomanduar z. Zogaj në vitin 2020, nuk është aplikuar ndalesa e nenit 18.5. të Ligjit për KGJK-në”.

IKD-ja thotë se nuk ka kurrfarë subjektivizmi në këtë rast, duke thënë se këtë e dëshmon edhe fakti se ishte pikërisht IKD-ja ajo që e ka rekomanduar gjykatësin Zogaj për Komisionin për Provimin e Jurisprudencës, “por në kohën kur propozimi ka qenë i ligjshëm”.

“Me këtë rast, reagimi i IKD-së ka shkuar në drejtim të mbrojtjes së ligjshmërisë. Siç e kemi sqaruar edhe në letrën dërguar kryeministrit Albin Kurti dhe përmes qëndrimeve publike, Ligji për KGJK-në e ndalon që anëtarët e saj të jenë edhe në pozita për të cilat pranohet kompensim financiar jashtë KGJK-së. Andaj, emërimi i gjykatësit Zogaj është shkelje ligjore dhe ne si IKD, dënojmë ashpër tendencat politike që në emër të kapjes së shtetit të përfshijnë edhe IKD-në”, theksohet në këtë reagim të IKD-së ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

IKD-ja, qasjen e qeverisë Kurti 2 e quan “të papranueshme” dhe thotë se “kjo po dëshmon se Qeveria Kurti nuk ka respekt për ndarjen e pushteteve, respektimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë”. /Zëri/