Haradinaj ka tri pyetje për Kurtin rreth Asociacionit

Haradinaj ka tri pyetje për Kurtin rreth Asociacionit

Aktuale June 18, 2021 - 18:18

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që “të ndal mashtrimin me dialog”.

Haradinaj, përmes një postimi në “Facebook”, ia ka parashtruar tri pyetje Kurtit të cilat kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, çështje kjo që ka përplasur fillimisht Kurtin me Vuçiqin para takimit në Bruksel, e më pas Kurtin me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

“E para: a jeni kundër Asociacionit, apo jeni kundër Asociacionit në bazë të Kushtetutës së Kosovës? Pyetja e dytë: A keni propozuar Asociacion gjeografik, çka nënkupton ai dhe a është në bazë të Kushtetutës së Kosovës? Dhe pyetja e tretë: nëse keni propozuar Asociacion gjeografik, atëherë na trego pse ky Asociacion është më i mirë sesa Asociacioni në bazë të Kushtetutës së Kosovës të cilin e përkrah edhe Amerika edhe BE-ja?”, ka shkruar deputeti Haradinaj, ndërsa në fund ka kërkuar nga Kurti të japë përgjigje të sakta dhe “të ndal mashtrimin”.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 23 dhjetor të vitit 2015”, ka thënë Kurti.

Të mërkurën më 16 qershor, ambasadori Philip Kosnett tha se “Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Duke iu referuar kundërshtimit të qeverisë që të çojë përpara formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Kosnetti tha se “vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”.

Por, pas deklaratës së ambasadorit Kosnett, kryeministri Kurti sërish potencoi se nuk mund të ketë asociacion njëetnik në Kosovë. /Zëri