Peci: Ideja për reciprocitet në të drejtat e pakicave me Serbinë është iluzion

Peci: Ideja për reciprocitet në të drejtat e pakicave me Serbinë është iluzion

Aktuale June 18, 2021 - 18:33

Drejtori ekzekutiv i institutit KIPRED, Lulzim Peci, e ka quajtur iluzion idenë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për reciprocitet për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë me Serbinë.

Kryeministri Kurti Reciprociteti, në takimin që e zhvilloi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kërkoi reciprocitet në trajtimin e pakicave, kërkesë kjo që u refuzua nga pala serbe.

E Peci thotë se nëse mendohet që me reciprocitet duhet të trajtohen të drejtat e popullatës serbe në Kosovë me popullatën shqiptare në Serbi, “mendoj se kemi një problem goxha të madh para vetes”.

Ai thotë se “nëse Serbia e zgjeron zemrën dhe vendos që kushtetutën e saj ta ndryshojë me parametra të Pakos se Ahtisaarit, atëherë këtë kush nuk e kish pasë”.

Megjithatë, ai shprehet skeptik se kjo mund të ndodhë ndonjëherë.

Por, ish-ambasadori Peci thotë se në rast se Serbia nuk pranon ndryshimin e Kushtetutës së saj në bazë të parametrave të Ahtisaarit, as Kosova nuk do të mundet ta ndryshojë Kushtetutën e vet dhe ta bëjë të njëjtë me atë të Serbisë për të drejtat e pakicave etnike, pasi, siç thotë ai, “çdo përpjekje në këtë drejtim do të bllokohet nga deputetët e komuniteteve jo-shumicë në Kuvendin e Kosovës”.

“Pra, ideja e reciprocitetit për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë me Serbinë është as më shumë dhe as më pak se iluzion”, theksoi Peci.

Peci thotë se ndoshta kjo mund të jetë taktikë negociatore për të mos e vënë në jetë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, “dhe atë në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, por shton se “atëherë duhet të pyesim veten se a është kjo taktikë e mençur, apo jo, dhe cilat mund të jenë konsekuencat e saj”.

“Për shembull, çfarë do të bëhet nëse në ndërkohë, pasi Qeveria e Kosovës po e refuzon që të krijohet ky Asociacion si pjesë së pakos së marrëveshjes për njohje reciproke, Lista Serbe (kuptohet me instruksione të Beogradit) del nga institucionet e Kosovës, dhe po ashtu komunat të cilat udhëhiqen nga kjo Listë e shpallin vet Asociacionin e tyre. Në vend se të merremi me zgjidhjen e problemit të tanishëm, do të krijohet një problem edhe më i madh, për të cilin do të duhet kohë shumë e gjatë për të u zgjidhur, dhe do e humbim momentumin shumë të volitshëm për të arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, thekson ish-ambasadori Peci.

Ai paralajmëron se taktikat e cekëta të tregtisë në negociata “mund të dërgojnë në humnerë, nga e cila vështirë se mund të dilet shpejt”.

Drejtori i KIPRED-it në fund thotë se strategjia e negociatave me Serbinë duhet të jetë e bazuar në avancimin e interesave të Kosovës dhe “jo dëmtimit të tyre duke u zhytur në lojëra të tilla, për të cilat do të kemi ama bash zero përkrahje nga përkrahësit strategjikë të vendit tonë, të cilët i kanë në dorë instrumentet për të ushtruar presion mbi Serbinë për të njohur shtetësinë e vendit tonë”. /Zëri