Kurti takohet me kancelarin austriak, flasin për investimet dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik
Foto: Albin Kurti / Facebook

Kurti takohet me kancelarin austriak, flasin për investimet dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik

Aktuale June 18, 2021 - 20:54

Pas Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndior, kryeministri i vendit, Albin Kurti është takuar me Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz në zyrën e tij.

Kurti ka thënë se me Kurzin kanë diskutuar për zgjerim të bashkëpunimit ekonomik teksa tha se në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë një samit të përbashkët biznes Kosovë-Austri.

“Biseduam për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy republikave tona, raportet në rajon dhe integrimet evropiane. Në veçanti shqyrtuam mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, nevojën e Kosovës për investitorë nga Austria, si dhe rolin që mund të luajë mërgata jonë në shtimin e urave midis dy shteteve dhe popujve tanë. Në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi një samit të përbashkët biznesi Kosovë-Austri”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Theksojmë se Kurti sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Vjenë, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zotohen për mos-sulmim.

“Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave”. /Zëri