Haradinaj thotë se Kurti rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në nëse s’e përgënjeshtron zëdhënësin e tij

Haradinaj thotë se Kurti rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në nëse s’e përgënjeshtron zëdhënësin e tij

Aktuale June 19, 2021 - 12:05

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë, Perparim Kryeziut pasi që ky i fundit ka thënë se marrëveshja e Washingtonit nuk ka vlerë juridike.

E për këtë Haradinaj ka thënë se nëse Kurti nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, atëherë merr përgjegjësinë për rrezikimin e partneritetit strategjik me SHBA-në.

Sipas tij, asnjë qeveri e asnjë kryeministër nuk mund të rrezikojë partneritetin me SHBA-në.

“Qeveria Kurti paska deklaruar se e vetmja marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, qenka juridikisht e pavlerë! Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën. Këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër!”, kla shkruar ai në një postim në Facebook.

Marrëveshja e arritur në Washington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend, tha në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”./Zëri