Tahiri Kurtit: U ktheve nga muaji i mjaltit, qytetarët nuk kanë viza e ju qëndroni në hotele luksoze

Tahiri Kurtit: U ktheve nga muaji i mjaltit, qytetarët nuk kanë viza e ju qëndroni në hotele luksoze

Aktuale July 22, 2021 - 10:54

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka pasur akuza ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, duke thënë se i njëjti nuk është kthyer nga vizita e tij në Francë e Greqi, edhe pas rastit në Deçan e reshjeve që shkaktuan dëme.

Tahiri i ka uruar mirëseardhje Kurtit në Kosovë, duke thënë se shpreson se ai “është kthyer nga muaji i mjaltit”.

“Kryeministër, mirë se u ktheve në Kosovë, shpresojmë që qëndrimi yt në bregdetin e Greqisë dhe Francës ta japin njëfarë shtytje me përfundu muajin e mjaltit, e me ju kthy punës. 14 ditë vizitë jashtë vendit nuk kishin të bëjnë asgjë me interesa shtetërore e kombëtare, nuk e di çfarë interesi ka Kosova nga seminaret e së majtës, ku flitet gjithçka e veç për Kosovën jo”, ka thënë Tahiri.

Deputeti i PDK-së ka thënë se derisa kosovarët nuk mund të lëvizin pa viza, Kurti po qëndron në hotele luksoze të botës.

“Qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza, e nuk kanë mundësi të qëndrojë në hotele luksoze në të cilat qëndron kryeministri jonë. Në ditën ku e ka marrë lajmin për qytetarët e Decanit, ai do të ishte dashur që të kthehet, pra vendi ku ishte kryeministri jonë ishte nja 6-7 orë larg me veturë”, shtoi ai.

Tahiri tutje i ka përmendur edhe reshjet dhe dëmet e shkaktuara në disa komuna të Kosovës.

“Gjatë kësaj kohe Kosovën e goditi një situatë e rëndë edhe nga vërshimet, normalisht që për këto nuk po të akuzojmë ty, mirëpo, u rrezikua direkt jeta e qytetarëve e u dëmtuan të mbjellurat e bizneseve, mirëpo, ti e vazhdove guidën tone, për Decan e bëre një postim, për vërshimet hic. Gjatë këtyre ditëve edhe Gjermania u godit nga reshjet, mirëpo, kancelarja gjermane e ndërpreu vizitën në SHBA e u kthy te qytearët, po t’i kryeministër nuk u ktheve, e vazhdove vizitën tënde. Nuk do të dëshiroja që papërgjegjësia të shkojë në këtë nivel”, thotë Tahiri. /GazetaExpress