Haxhiu thotë se 200 mijë euro janë vjedhur në Thesarin e Shtetit para një muaji
Foto: Laura Hasani

Haxhiu thotë se 200 mijë euro janë vjedhur në Thesarin e Shtetit para një muaji

Aktuale July 28, 2021 - 12:36

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, po aludon se para një muaji një vjedhje prej 200 mijë eurosh është kryer në Thesarin e Shtetit.

Lidhur me këtë Haxhiu ka kërkuar përgjigje nga ministri i Financave Hekuran Murati, duke e pyetur se pse një gjë e tillë është mbajtur fshehtë.

“Buxhetin e shtetit duhet me rujt si sytë e ballit, sepse është i qytetarëve tanë e personi më përgjegjës për këtë punë është Hekuran Murati. E kam një pytje që ma ka dërgu ni qytetar e duhet me e pyt ministrin. A ka ndodh një muaj më parë një vjedhje e ngjashme në Thesarin e Shtetit prej 200 mijë eurosh. A i janë pagu një kompanie 200 mijë euro dhe pse është mbajt msheft ?! 2.1 milionshi nuk është mbajt msheft, e kanë marrë vesh krejt bota, po pse këto 200 mijë euro duhet me i mbajt msheft dhe a ka kallëzime penale për zyrtarët e Thesarit që ja kanë qit një kompanie 200 mijë euro”, ka thënë Haxhiu.

Tutje, ai ka thënë se kjo është fshehje e veprës penale dhe abuzim me detyrën zyrtare.

“Emrin e kam këtu, mundem me jau jep. E di se je kan në një presion, më kan tregu zyrtarët e Ministrisë, por pse është mbajt msheft. Pse duhet me u mbajt hajnia msheft kur vjedhen 200 mijë euro të buxhetit të shtetit. Kjo është mshefje edhe e veprës penale, edhe abuzim me detyrën zyrtare”, ka thënë Haxhiu në Kuvend. /Zëri