Phillips: Medalja për Beau Bidenin do t’i avancojë raportet SHBA - Kosovë

Phillips: Medalja për Beau Bidenin do t’i avancojë raportet SHBA - Kosovë

Aktuale August 02, 2021 - 15:39

Medalja që ia dhuroi Beau Bidenit presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të birit të ndjerë të presidentit amerikan Joe Biden, nuk është vetëm njohje e punës së Beaut në Kosovë. Ajo është gjithashtu një kujtesë se sundimi i ligjit dhe masat kundër korrupsionit janë thelbësore për konsolidimin e zhvillimit demokratik.

Kështu është shprehur David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në universitetin “Columbia” në New York, në një deklaratë për gazetën serbe “Danas”.

“SHBA-ja dhe Kosova ndajnë të njëjtat vlera që përmban ky çmim. Kjo njohje do ta avancojë edhe më tej bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, jo vetëm Kosovës, por edhe rajonit”, mendon profesori amerikan, transmeton Zeri.info.

Ditë më parë Phillipsi, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, tha se “në dialogun Kosovë - Serbi duhet të përfshihet edhe një i dërguar special nga SHBA-ja” pasi, sipas tij, kështu “do të rritej niveli i pjesëmarrësve dhe do t’u bëhej presion shtesë mbi palët për të shprehur vullnetin e mirë dhe për të qenë konstruktivë”. /Zëri