Ministria e Bujqësisë, apel qytetarëve për ruajtjen e pyjeve nga zjarri

Ministria e Bujqësisë, apel qytetarëve për ruajtjen e pyjeve nga zjarri

Aktuale August 02, 2021 - 15:53

Temperaturat e larta kanë bërë që në Kosovë të paraqiten zjarre, nga të cilat janë duke u dëmtuar pyjet, por edhe sipërfaqet e tjera rurale e urbane.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka lëshuar një apel për qytetarët që t’i ruajnë pyjet nga zjarret, pasi ato përbëjnë 44,7% të territorit të Kosovës.

“Në kohën kur vendi ynë po ballafaqohet me përpalljen me temperatura të larta, për fat të keq po shfaqet edhe një dukuri shqetësuese, me rrezikimin e jetës së njerëzve, pasoja ekonomike e dëme të mjedisit. Është fjala për paraqitjen e zjarreve, që po shfaqen gjithandej në Kosovë, nga të cilat janë duke u dëmtuar pyjet, tokat pyjore, por edhe sipërfaqe tjera rurale e urbane. Pyjet përbëjnë rreth 44,7% të territorit të Republikës së Kosovës dhe janë resurs i çmuar kombëtar. Zjarret në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër, sepse pyjet janë habitati – shtëpia e tyre”, thuhet në një shkrim që është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ata kanë apeluar për kujdes maksimal në ruajtjen e pyjeve, të natyrës dhe të mjedisit.

“Apelojmë po ashtu te të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga komunat, Njësitë Komunale të APK-së, shërbimin e zjarrfikësve dhe Policinë për koordinim të veprimeve, si dhe kujdes të shtuar në parandalimin e zjarreve dhe mobilizim në shuarjen e tyre. Apelojmë veçanërisht për mobilizim dhe kujdes të shtuar të rojeve të pyjeve, që të përcjellin aktivisht situatën dhe të identifikojnë keqbërësit e të japin informata në organet e rendit për personat që i shkaktojnë zjarret. Ju lutemi kujdes dhe MOS NDIZNI ZJARRE!”, thuhet në apel, duke paralajmëruar se ndezja e zjarrit është e dënueshme me ligj. /Zëri