Haxhiu: Skandali me përgjimet, shumë më i madh se ai i “Prontos”
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Skandali me përgjimet, shumë më i madh se ai i “Prontos”

Aktuale August 04, 2021 - 16:08

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dalë në një konferencë për media lidhur me publikimet e disa audio-incizimeve që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë, saktësisht në prokurori.

Haxhiu është shprehur e tronditur nga këto përgjime.

“Nuk kemi parë reagime shoqërore, nga mediat, nga shoqëria civile. Nuk po ndodh e njëjta siç ka ndodhur me aferën ‘Pronto’, po ndodh një skandal shumë i madh ndaj të cilit nuk po ka asnjë reflektim. Si ministre thërras reagim shoqëror, qoftë nga mediat, shoqëria civile por edhe institucionet”, ka thënë Haxhiu.

Ajo tha se është e papranueshme që për një skandal që po ndodh në Kosovë të flasë vetëm Qeveria.

“Një praktikë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë që për një skandal të tillë të flasë vetëm Qeveria, dhe institucionet tjera të heshtin”, u shpreh Haxhiu.

Po ashtu, Haxhiu i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial që të ndërmarrin urgjentisht hapa në këtë drejtim.

“Askush nuk ka dilemë se Vettingu në sistemin e drejtësisë është shumë i rëndësishëm. I bëj thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial që të ndërmarrin urgjentisht hapa në këtë drejtim dhe të hetojnë të gjithë ata persona që cenojnë integritetin e institucioneve të drejtësisë”, deklaroi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /Zëri