Osmani falënderon presidentin gjerman për mbështetjen që Gjermania vazhdon t’ia japë Kosovës

Osmani falënderon presidentin gjerman për mbështetjen që Gjermania vazhdon t’ia japë Kosovës

Aktuale September 14, 2021 - 21:21

Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, pas ftesës së këtij të fundit për një vizitë dyditore të Osmanit në Gjermani.

Osmani ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi së bashku me Steinmeierin kanë diskutuar për raportet ndërmjet dy shteteve, duke e falënderuar atë për mbështetjen që shteti gjerman vazhdon t’i japë Kosovës.

“Theksova nevojën e madhe për vazhdimin e kësaj mbështetje në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, sigurimin e njohjeve të reja, si dhe për liberalizim të vizave për qytetarët tanë. Diskutuam sot për tema të ndryshme e në fokus ishte poashtu bashkëpunimi për rritjen e investimeve të huaja gjermane. Tutje, diskutuam edhe për angazhimin e Kosovës në fushën e bashkëpunimit rajonal, si dhe interesimin për nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme bilaterale me Gjermaninë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Presidentja Osmani gjatë këtij takimi, po ashtu ka thkesuar edhe se Procesi i Berlinit ka qenë shtysë e fuqishme lidhur me rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në kuadër të Ballkanit Perëndimor.

“Potencova se çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Osmani.

“Mirënjohëse pafund për fjalët inkurajuese dhe bisedën konstruktive e tejet premtuese!”, ka shtuar ajo. /Zëri