ZPS: Mustafa ishte udhëheqës i grupit BIA,  mori vetë pjesë në keqtrajtimin e personave

ZPS: Mustafa ishte udhëheqës i grupit BIA, mori vetë pjesë në keqtrajtimin e personave

Aktuale September 15, 2021 - 12:14

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka thënë se Salih Mustafa ishte përgjegjës i kompleksit të ndalimit në Zllash e se edhe vet mori pjesë në keqtrajtimin e personave.

Sipas ZPS-së, Mustafa akuzohet për krime që ndodhen në Zllash, në një kompleks ndalimi që drejtohej nga anëtarë të UÇK-së nga një grup i quajtur BIA që komandohej nga i akuzuari.

“Personat që mbaheshin të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash akuzoheshin se ishin bashkëpunëtorë ose kollaboristë. Këta persona, këta të burgosur nuk ishin bashkëpunëtorë në kuptimin që e ndihmonin armikun në veprimet e tyre ushtarake. Në asnjë mënyrë, asnjë nga personat nuk kishte bërë diçka të tillë dhe askush në këtë gjykim nuk do të pretendoj se kanë bërë diçka të tillë”, ka thënë prokurori.

Sipas tij, etiketa bashkëpunëtor përdorej përgjithësisht, por edhe keqpërdorej.

“Mund të përfundonit në Zllash thjesht për shkak të dyshimit për veprimtari apo qëndrime të këtij lloji dhe kur të përfundonit aty, do të dëgjoni vet dëshmitë e atyre që u arrestuan, ndaluan dhe u torturuan në Zllash. Ata do të ulen në karrigen e dëshmitarit do të rrëfejnë për kushtet, keqtrajtimet e rrahjet e ndryshme. Do të dëgjoni për mënyrën si u thyen fizikisht dhe u traumatizuan psiqikisht. Do të dëgjoni për një viktimë që nuk mbijetoi”, ka thënë prokurori.

Sipas tij, Salih Mustafa ishte përgjegjësi i kompleksit të ndalimit në Zllash dhe vet mori pjesë në keqtrajtimet.

“Do të ju flas për të akuzuarin dhe pozitën e tij në UÇK, me theks të veçantë njësisë BIA që komandonte gjatë kohës që mbulonte aktakuza. Pastaj do vazhdoj me përshkrimin e vendit ku ndodhën krimet e paraqitura në aktakuzë. Do të flas për konfliktin e armatosur në Kosovë në kontestin e të cilit i akuzuari dhe vartësit e tij kryen krimet si në aktakuza dhe do të paraqes një përmbledhje të krimeve që ndodhen në Zllash, për viktimat dhe përgjegjësinë e të akuzuarit”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se Salih Mustafa nga fillimi e deri në përfundimin e konfliktit në Kosovë ishte përgjegjës dhe komandat i njësisë së UÇK-së “BIA”, që ishte i organizuar në nën njësi dhe numëronte 500 deri në 600 anëtar.

“Ishte komandanti i përgjithshëm i njësitit që kryente detyra të tilla si zbulimi dhe sigurimi i furnizimeve njerëzore. Një nga detyrat kryesore ishte mbledhja e informatave të zbulimit që e drejtonte vet i akuzuari. Provat do të tregojnë se njësiti BIA ishte përgjegjës për njësitin e ndalimit në Zllash në mars dhe prill 1999, përgjegjës për atë vend ishte i akuzuari dhe ishte i pranishëm gjatë ndalimeve dhe rrahjeve dhe pjesëmarrjes në to”, ka thënë ai.

Ndërkaq, tha se emri i njësitit ishte “skifteri”, ku anëtarët e njësitit nuk mbanin të gjithë uniformat e njëjta, ku disa prej tyre mbanin uniforma të zeza me një skifer dhe fjalët “skifterat”.

“Dëshmitari W01679 do të dëshmoj se ata “që e arrestuan kishin një shenjë me skifter dhe fjalën skiftera të shkruar përreth” përshkrim ky që përshkruhet me emblemën në diapozitiv”, ka thënë prokurori.

Sipas tij, i akuzuari kryesisht si e ka pranuar vet mbante uniformë ushtarake dhe beretë të kuqe.

“Të paktën një dëshmitar që u mbajt i ndaluar dhe u keqtrajtua në Zllash pa të akuzuarin me beretë të kuqe. Kur u arrestua, i arrestuari kishte në kuletë një fotografi të vete me uniformë të UÇK-së dhe me beretë të kuqe, dhe në USB kishte fotografi të tij të luftës me beretë të kuqe”, ka thënë prokurori, e më pas u paraqiten fotografi të Mustafës në uniformë ushtarake me beretë të kuqe.

Image

Ndryshe, gjatë seancës që po mbahet sot, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është i arrestuari i parë nga Specialja.

Ndryshe, më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.

I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.