Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim të diasporës

Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim të diasporës

Aktuale September 16, 2021 - 17:44

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut janë mbledhur sot në një takim të përbashkët G2G në Shkup, për të konkretizuar arritjen e gjithsej 11 marrëveshjeve mes dy vendeve.

Në mesin e këtyre marrëveshjeve është edhe ajo për bashkëpunim në fushën e diasporës.

Kështu së paku ka njoftuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila tha se marrëveshja është nënshkruar me homologun e saj nga vendi nikoqir, Bujar Osmani.

Gërvalla ka theksuar se kjo marrëveshje, përveçse do të thellojë raportet dypalëshe, do të ndikojë në forcimin e lidhjeve të diasporës së të dy vendeve bazuar në nevojat reale që ata kanë. Gjithashtu ka thënë se institucionalizimi i relacioneve me diasporën është i domosdoshëm.

“Duke qenë se lidhjet tona dalin përtej sferës ekonomike, politike, akademike e diplomatike, marrëveshja në fushën e diasporës është vetëm një instrument përmes të cilit forcojmë marrëdhëniet e shkëlqyeshme të bashkatdhetarëve tanë”, plotësoi ajo.

Kryediplomatja kosovare bëri të ditur se shkëmbimi i përvojave dhe programeve në fushën e diasporës, bashkëpunimi reciprok ndërmjet institucioneve përgjegjëse në fushën e diasporës në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, organizimi i konferencave të përbashkëta, janë vetëm disa nga format përmes të cilave kjo marrëveshje ka synim të intensifikoj marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy shteteve.

“Ne si qeveri jemi të përcaktuar për avancimin e diplomacisë ekonomike dhe diplomacisë publike. Arti, kultura dhe sporti janë instrument i diplomacisë kulturore dhe si të tilla janë vlera përmes të cilave zhvillohet diplomacia në përgjithësi dhe përmes të cilave duhet të synohet vazhdimi i miqësisë së thellë dhe të përhershme. Lidhja e marrëveshjes në fushën e diasporës do të jetë një angazhim serioz i përbashkët për krijimin e programeve të përbashkëta kulturore për diasporën, programe përmes të cilave do të zhvillojmë dhe forcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe duke synuar që të kontribuojmë në objektivat gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit midis dy shteteve”, theksoi më tej ajo.

Gërvalla ritheksoi se Maqedonia e Veriut është një partner strategjik i Kosovës dhe se bashkëpunimi përmes marrëveshjeve, takimeve dhe vizitave të niveleve të ndryshme janë model i bashkëpunimit rajonal dhe i fqinjësisë së mirë. /Zëri