“Dtt-net”: Kurti javën e ardhshme i “përgjigjet përfundimisht” SHBA-së për gazin natyror?!
Foto: Ilustrim

“Dtt-net”: Kurti javën e ardhshme i “përgjigjet përfundimisht” SHBA-së për gazin natyror?!

Aktuale September 18, 2021 - 14:59

Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti po zhvillon “konsultimet e fundit të brendshme politike” para se të dërgojë javën e ardhshme “përgjigjen përfundimtare” ndaj propozimit të autoritetet amerikane për ndërlidhësin e gazit me Maqedoninë e Veriut dhe një termocentral të gazit me gaz natyror amerikan, i cili do të importohej nga porti grek Alexandroupolis përmes Maqedonisë së Veriut, përgjigje e cila deri më tani ka qenë pak a shumë negative dhe jo-përfundimtare për projektin e ndërlidhur, mëson dtt-net.com.

Burime perëndimore në Prishtinë, të afërta me këtë çështje, të cilat kërkuan anonimitet, thanë për agjencinë e lajmeve dtt-net.com se qeveria e Kurtit u ka thënë homologëve amerikanë se i duhen edhe disa ditë për një përgjigje përfundimtare mbi propozimin që ishte në tryezë që nga viti i kaluar, dhe i cili në parim ishte miratuar nga qeveria e mëparshme e udhëhequr nga Avdullah Hoti, por deri më tani po refuzohet nga Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij që morën pushtetin në mars.

“Ata kërkuan pak më shumë kohë për të kryer disa konsultime politike... Ata thanë në fund të javës së ardhshme”, tha burimi për dtt-net.com të premten, pas një konference për media të ministres kosovare të Ekonomisë dhe Energjisë, Artane Rizvanolli, në të cilën ajo nuk pati përgjigje përfundimtare, e madje pak a shumë negative, për projektin madhor që synonte rritjen e llojshmërisë së burimeve të energjisë për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë dhe procesin e gazifikimit për industrinë, pasi vendi më i pazhvilluar në kontinent prodhon 97 për qind të energjisë elektrike me thëngjill/linjit.

Në fillim të këtij muaji, i njëjti burim për dtt-net.com shpjegoi se qeveria e Kosovës deri më tani po u thoshte privatisht homologëve amerikanë se “ata ka të ngjarë të mos investojnë në gaz”.

Në konferencën për shtyp të së premtes, Rizvanolli u përpoq të shpjegonte atmosferën pak a shumë negative brenda qeverisë mbi propozimin, por nuk arriti të sqarojë pse, duke u përpjekur të fajësojë koston e investimeve ende të panjohur saktësisht për një Partneritet Publiko-Privat (PPP) për ndërlidhësin me Greqinë dhe koston e prodhimit të energjisë elektrike me gaz natyror të importuar nga Greqia, në këtë rast për 200MWh rrymë elektrike të propozuara nga amerikanët.

Muajin e kaluar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), nën kontrollin e qeverisë së Kurtit, shpalli synimet për një tender për të rindërtuar një nga termocentralet e saja me thëngjill, i cili teknikisht shihet si një përgjigje negative ndaj propozimit amerikan të gazit natyror. KEK-u gjithashtu dëshiron të hapë një tender për prodhim të 100 Mwh rrymë elektrike me pllaka solare.

Për dallim nga Serbia, e cila përdor gazin rus, deri tani Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë zotuar tashmë për blerjen e Gazit Natyror të Lëngshëm (LNG) amerikan dhe po nënshkruajnë kontrata për infrastrukturat e nevojshme.

Maqedonia e Veriut po punon me shpejtësi në infrastrukturën e ndërlidhjes së gazit me Greqinë për të importuar gaz natyror nga porti detar Aleksandropolis, dhe gjithashtu është bërë aksionare e një baze për ruajtjen e gazit dhe prodhimin e energjisë elektrike me gazin amerikan në Greqi.

Shqipëria nga ana e saj ka nënshkruar me kompanitë amerikane “Exon Mobile” dhe “Excelerate Energy” për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e një Terminali LNG në portin e Vlorës, dhe më pas me kompaninë italiane “Snam” për një bazë nëntokësore për ruajtje të gazit dhe një tubacion për të furnizuar me të njëjtin gaz një impiant rryme pranë qytetit.

Me marrëveshjet me kompanitë amerikane, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet në Ballkan që po u bashkohen përpjekjeve dhe nismave të kamotshme dhe të tashme të vendeve tjera evropiane për të blerë më shumë LNG amerikan, që synojnë rritjen e llojshmërisë (diversifikimin) së furnizimeve me energji për të zvogëluar varësinë nga gazi rus në kontinent.

Kur flitet për gazin natyror, përveç projekteve ekzistuese dhe të ardhshme të energjisë së erës dhe diellit, vendet e BE-së në të njëjtën kohë tashmë kanë nisur të blejnë 10 miliardë kubik metra gaz (ang. bcm) nga Azerbajxhani që nga nëntori i vitit të kaluar dhe po përgatiten të dyfishojnë kapacitetin e furnizimeve përmes tubacioneve TANAP dhe TAP pas pesë deri në gjashtë vjetët e ardhshme.

Një projekt i tretë, në fazën fillestare të planifikimit përfshin projektin e Gazsjellësit Mesdhetar-Lindor, nga ujërat izraelite, qipriote dhe greke për të arritur në Itali.

Kroacia, e cila tashmë është anëtare e BE-së, në janar të këtij viti e bëri terminalin e saj LNG në Kërk me LNG të SHBA-së dhe një pjesë e gazit të saj synon të arrijë në rajonin boshnjako-kroat në Bosnjë dhe Hercegovinë (BeH). Pjesa tjetër e BeH-së, rajoni serb, po përdor gazin rus ashtu sikurse edhe Serbia, dhe të dyja po rrisin blerjet nga Rusia që kur Rrjedha Turke u bë funksionale në janar 2021, e cila vjen në Turqi nga Deti i Zi dhe pastaj vazhdon përmes Bullgarisë, Serbisë për të arritur në Hungari.

Mali i Zi të enjten ka nisur Dialogun Ekonomik me qeverinë amerikane, ku rritja e llojshmërisë (diversifikimit) të burimeve të energjisë është gjithashtu pjesë e temave të përfshira në rendin e ditës midis dy vendeve.

Nëse përgjigjja përfundimtare e qeverisë Kurti javën e ardhshme do të jetë negative, Kosova do të ishte i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që refuzon gazin natyror nga burimi jo-rus, në këtë rast të LNG-së amerikane, përveç rajonit serb në BeH dhe Serbi të cilat janë klientët më të mëdhenj të “Gazprom”-it të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Por përgjigja e kryeministrit Kurti dhe njerëzve të tij mund edhe të rishikohet deri në fund të javës së ardhshme, pasi që partneri i tyre në koalicion qeverisës, presidentja Vjosa Osmani, i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë mospajtimi Kurtit duke u thënë mediave se Kosova “nuk ka rrugë tjetër përveç bashkëpunimit me SHBA-në” kur u pyet për çështjen e gazit amerikan. /dtt-net