Sveçla flet për aksionin e Njësisë Speciale në Veri

Sveçla flet për aksionin e Njësisë Speciale në Veri

Aktuale September 20, 2021 - 08:47

Njësia Speciale e Kosovës është parë sot në pikat kufitare me Serbinë.

Për këtë ka folur Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se këto veprime për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve, transmeton Zeri.info

“Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të zakonshme si dhe me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues, është duke kryer veprime në të gjithat pikat kufitare. Veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve

Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka njoftuar se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”.

Ai ka thënë se situata është e qetë dhe policia ka marrë masa të mos pengohet lëvizja e njerëzve dhe mallrave.

“Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave”, ka shkruar ministri i brendshme. /Zëri