Ministria demanton mediat dhe qytetarët serbë: Ushtria e Kosovës nuk është duke u përgatitur të ndërhyjë në veri

Ministria demanton mediat dhe qytetarët serbë: Ushtria e Kosovës nuk është duke u përgatitur të ndërhyjë në veri

Aktuale September 24, 2021 - 20:48

Ministria e Mbrojtjes, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, ka reaguar ndaj të gjitha "lajmeve të rrejshme, propagandës qëllimkeqe, dezinformatave dhe shkrimeve tendencioze dhe të pavërteta, të shpërndara në mesin e qytetarëve tanë në pjesën veriore të Kosovës, disa nga to edhe të publikuar në mediume".

"Dezinformatat se, kinse FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në Veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb", ka thënë MM-ja, raporton Zeri.info.

MM-ja ka rikujtuar se, bashkë me FSK-në, janë  institucione shtetërore që realizojnë detyrat dhe kompetencat e tyre në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi si dhe në koordinim të plotë me autoritetet tjera shtetërore dhe KFOR-in.

"FSK-ja është organizatë profesionale dhe multietnike, e formuar, ndërtuar dhe zhvilluar në bashkëveprim, koordinim dhe mbështetje të plotë të NATO-s, SHBA-së dhe partnerëve tjerë anëtarë dhe partnerë të NATO-s", ka përfunduar njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes. /Zëri