Bërnabiq: SHBA-ja po formon ekipe për Ballkanin Perëndimor

Bërnabiq: SHBA-ja po formon ekipe për Ballkanin Perëndimor

Aktuale September 24, 2021 - 22:05

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht po formojnë ekipe për t'u marrë me Ballkanin Perëndimor.

Ajo shtoi se pret që Shtetet e Bashkuara në ditët ose javët e ardhshme t'i kushtojnë më shumë vëmendje çështjeve politike dhe, siç tha ajo, provokimeve në rajon, raporton Tanjug.

Bërnabiqi i bëri këto komente pas takimit në New York me Nënsekretaren e Departamentit të Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland, me të cilën ajo diskutoi gjithashtu situatën aktuale në Kosovë.

Kryeministrja e Serbisë vlerësoi se takimi ishte "i shkëlqyer, i sinqertë dhe i hapur".

"Amerika është në procesin e formimit të ekipeve për t'u marrë me Ballkanin Perëndimor. Ky tek ta është ndryshimi i gjeneratës që po ndodh aktualisht, dhe sigurisht që pres që në ditët dhe javët e ardhshme ata të kenë një prani më të madhe amerikane dhe vëmendje më të madhe ndaj çështjeve politike dhe të gjitha provokimeve që po ndodhin" , tha Bërnabiqi.

Ajo gjithashtu theksoi se Serbia ka mbështetje të madhe te Shtetet e Bashkuara në rrugën drejt integrimit evropian. /Zëri