Kurti nuk do ta shkarkojë Rakiqin
Foto: Laura Hasani

Kurti nuk do ta shkarkojë Rakiqin

Aktuale October 14, 2021 - 17:59

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se nuk do ta shkarkojë ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, pas deklaratave të tij në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Kurti gjatë një vizite në Prizren, ka thënë se Qeveria me veprimet e saj ka goditur nervin e çështjes, që është luftimi i krimit të organizuar korrupsionit e kontrabandës, ndërsa theksoi se Rakiqi nuk është çështja, por nëse shkarkohet bëhet çështje, transmeton Zeri.info.

“Më lejoni të them që Qeveria jonë me veprimet tona e ka godit nervin e çështjes e ky është luftimi i krimit të organizuar korrupsionit e kontrabandës. Përveç se po kemi sukses me hetimet tona intensive në të njëjtën kohë po ndodh një demaskim gjigant i Serbisë sa i përket përpjekjes së saj destruktive me strukturat saj ilegale në Kosovë. Qartazi ne jemi në rrugën e drejtë dhe pikërisht për shkak se ne jemi në rrugën e drejtë Serbia e Vuçiqi nuk po arrin t’i mobilizojë serbët kundër veprimeve të drejta e të ligjshme të qeverisë tonë. Ne kemi goditur nervin e çështjes. Çështja nuk është Rakiqi. Shkarkimi i tij do ta bënte çështje”, ka thënë Kurti para mediave.

Kujtojmë se Rakiqi, gjatë takimit të djeshëm me presidentin serb Vuçiq, i tha atij se “serbët në Kosovë do të mbrohen me çfarëdo mundësie”, duke mos përjashtuar asgjë. /Zëri