Qeverisë i dështon blerja e grurit për Rezervën Shtetërore

Qeverisë i dështon blerja e grurit për Rezervën Shtetërore

Aktuale October 19, 2021 - 20:10

Qeveria e Kosovës, nëpërmes Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë ka hapur tender para pak kohësh që të furnizojë me grurë Rezervat Shtetërore. Rëndësia e rezervës u pa së fundi gjatë pandemisë, kur fokusi dhe kërkesa u drejtua andej.

Rezerva Shtetërore rifreskon produktet që ruan. Së fundi, furnizimin që e kërkonte ishte 1200 tonë grurë. Për këtë furnizim kishte ndarë 350,000.00 euro, raporton Zëri.

Por, tenderi ka dështuar, pasi askush nuk ka ofertuar për të kryer këtë furnizim.

Në dosjen e tenderit gjendet një pyetje prej një kompanie, e cila ka qartësuar drejt ministrisë së çmimi i parashikuar për sasinë e kërkuar është shumë i vogël, në krahasim me çmimin e bursës.

“Vlera e planifikuar e buxhetit nga Autoriteti Kontraktues, nuk e mbulon sasinë e kërkuar, kjo duke marrë për bazë çmimin aktual të grurit në BERZ dhe vendet e rajonit, pa llogaritur këtu shpenzimet e transportit dhe shpenzimet tjera administrative, andaj po ju drejtohem më këtë kërkesë duke kërkuar nga ana juaj sqarime se çka ndodhë nëse oferta tejkalon buxhetin e parashikuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, cilat janë veprimet e Autoritetit Kontraktues në këtë rast”, thuhet nga operatori ekonomik.

Ky operator ekonomik, që nuk bëhet i ditur në dosjen e tenderit në sistemin e tenderëve të Qeverisë së Kosovës, i ofron ministrisë që të bëjë një hulumtim në treg për çmimin e grurit.

“Gjithashtu muajve të fundit çmimi ka qenë gjithmonë në rritje, andaj deri në përfundimin e afatit pritet që trendi i rritjes të vazhdojë edhe më tutje”.

Ky operator thotë se kërkesën dhe pyetjen e ka bërë duke u bazuar në në rëndësinë e këtij projekti.

Kësaj kërkese/pyetje ministria i është përgjigjur kështu: “AK sipas njoftimit për kontratë dhe dosje të tenderit ka kërkuar çmimin më të ulët të grurit/për ton, ndërsa sasia mbetet e pandyshuar”.