Kompania “Kelkos” tërheq paditë ndaj aktivistëve të mjedisit

Kompania “Kelkos” tërheq paditë ndaj aktivistëve të mjedisit

Aktuale October 20, 2021 - 14:27

Kompania “Kelkos Energy” ka vendosur që të heqë dorë nga paditë ndaj aktivistëve të mjedisit, Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi. Kjo kompani kishte ngritur padi me pretendimet se aktivistët kishin dëmtuar imazhin duke dhënë deklarata se “KelKos Energy” po dëmton hidrocentralet në Deçan.

“KelKos Energy” kishte kërkuar dëmshpërblim prej 100 mijë eurove.

Avokatja, Rina Kikaj, tha se të hënën janë njoftuar se kjo kompani ka tërhequr paditë.

“Në mars të këtij viti ‘Kelkos’ ka kërkuar nga Shpresa Loshaj 100 mijë euro për kinse dëmtim të reputacionit. Të hënën avokatët e ‘Kelkos’-it na njoftuan zyrtarisht se kanë vendosur që të heqin dorë nga këto dy padi menjëherë. Heqja dorë nga këto dy padi është fitore për lirinë e shprehjes. Paditë ndaj Adriatikut dhe Shpresës janë padi sllave. Padi këto që synojnë t’i heshtin zërat kritikë. Në heqjen dorë u dëshmua se ‘Kelkos’ e ka ditur se nuk mund të fitojë nga këto padi të pabazuara dhe qëllimi nuk ka qenë që ata të fitojnë por ka qenë që aktivistët dhe zërat kritikë të heshtën dhe të frikësohen për kritikat ndaj kësaj kompanie dhe operimeve të saj në grykën e Deçanit”.

Ndërsa, aktivistja Shpresa Loshaj tha se “KelKos Energy” ka ngritur padinë me qëllim për t’i frikësuar zërat kritikë siç i quan ajo.

“‘Kelkos’ mendoj që do të shterim energjinë duke u mbrojtur nga ata. Ne kemi mbështetjen nga gjithë Kosova. Kjo është fitore për gjithë Kosovën. Përkundër që ‘Kelkos’ ka vendosur të tërheqë këto padi, unë dua të theksoj se asgjë nuk ka ndërruar në Grykën e Deçanit. ‘Kelkos’ po vazhdon të degradojë Grykën e Deçanit, sepse po operojnë kundërligjshëm. Ne sot ishim për t’i verifikuar dhe ‘Kelkos’ nuk ka ndalur së vepruari. Unë kam marrë vendimet e gjykatës dhe do të shkojë që t’ia dorëzojë ministrit dhe kryesueses së Grupit Parlamentar për Mjedis, Fitore Pacollit, që të kërkojnë të zbatohet vendimi i Gjykatës Supreme. Ne do presim disa ditë nga ministri dhe moszbatimi i gjykatës është vepër penale dhe ne do të vazhdojmë me drejtësi”.

Mexhide Demolli, nga lëvizja Fol, ka thënë se fatkeqësisht rastet e padive të tilla dhe strategjike kundër pjesëmarrjes publike janë edhe pjesë e Raportit Vjetor të Komisionit Evropian për këtë vit, raporton EO-ja.

“Në raportin vjetor vlerëson se gjatë vitit kishte rritje shqetësuese të rasteve të tilla të ngritura në gjykata padi këto që zakonisht që përdoren për të kërcënuar gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile”.