Këshilltari i Vjosa Osmanit u reagon Abelard Tahirit dhe Selim Selimit pas kritikave për vetingun

Këshilltari i Vjosa Osmanit u reagon Abelard Tahirit dhe Selim Selimit pas kritikave për vetingun

Aktuale October 21, 2021 - 20:43

Zëvendësshefi i kabinetit të presidentes, Artan Murati, i ka reaguar ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, pasi ky i fundit pati disa komente për Raportin e Komisionit Europian për Kosovën.

Abelard Tahiri, ndër të tjera tha se “pak muaj u deshën për ta parë qartë, dështimin e mazhorancës së Vjosës dhe Albinit që të sjellin ide konkrete e të qëndrueshme për vetingun, gjë që dëshmon paaftësinë e tyre për ta realizuar një proces të tillë”.

Në anën tjetër, Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se i vjen keq që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e goditi BE-në për çështjen e vettingun, siç thotë ai, “pa qenë e informuar”.

Selimi në Twitter e ka lutur presidenten që të konsultohet me profesionistë, duke shtuar se e kupton se ajo po e mbron kryeministrin Albin Kurti, raporton Express.

Ndërkohë Murati, në një status të gjatë në Facebook, i ka reaguar atij duke thënë se Presidentja, Vjosa Osmani, është e vendosur që procesi i vetingut të shkojë tutje.

“Frikë nga vetingu kanë ata që i frikësohen prokurorëve dhe gjykatësve që veprojnë me duart e lira dhe pa instruksione nga grupet joformale politike e ekonomike. Presidentja Osmani është e vendosur në çlirimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga këto kufizime që janë bërë barrë e padurueshme e padrejtësisë në Kosovë. Nga raportet e  Komisionit Evropian të cilat ndër vite e patën “kapjen e shtetit” si kryefjalë e deri tek raportet ku si shqetësim evidentohet nevoja për veting ose jo, ka progres e sukses të madh”, thotë ai.

Tutje ai i ka përmendur Tahirin dhe ish-ministrin e AAK-së, Selim Selimi.

“Po që se shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, në kohën kur ishte ministër i Drejtësisë apo edhe kolegu i tij nga AAK-ja, po ashtu ish-ministër i Drejtësisë, do të ishin angazhuar për shfrytëzim të vërtetë të mekanizmave ekzistues për luftimin e krimit e korrupsionit, kjo dilemë do ishte shuar me kohë. Për mungesë të veprimeve të tyre, e për më tepër, duke lejuar dobësimin e këtyre institucioneve përmes korrupsionit dhe intervenimeve politike, vetingu pastaj bëhet i domosdoshëm. Shefi i Grupit Parlamentar dhe ish-ministri i Drejtësisë, veprimin e tyre opozitarë po e ndërtojnë mbi të pavërteta. Siç e dëshmojnë të gjeturat e Raportit për Kosovën këtë vit se sistemi i drejtësisë përballet me mungesë integriteti dhe efikasiteti. Për rrjedhojë, kemi mungesë të rezultateve të duhura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos për rastet që janë pre e ndikimeve politike”, shtoi ai.

Murati vazhdon tutje në statusin e tij duke përmendur Koncept Dokumentin e KE-së për realizimin e vetingut dhe se në të këtë proces janë të përfshirë edhe partnerët ndërkomëbtarë.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe për këtë qytetarët i kanë dhënë mandat të qartë Presidentes Osmani dhe institucioneve të reja të Kosovës që t’i ndërrmarrin hapat e duhur në promovimin e integritetit, profesionalizmit dhe ligjshmërisë. Brenga e Komisionit Evropian është adresuar në Koncept Dokumentin për realizmin e vetingut, i cili do të jetë përpjekje konstante dhe jo veprim i njëhershëm. Për më tepër, çdo hap në realizimin e vetingut po realizohet me përfshirjen e partnerëve ndërkombëtar dhe ekspertëve vendor. Rezultati që synohet me vetingun është krijimi i mekanizmave që sigurojnë se sistemi i drejsisë ofron drejtësi për qytetarët dhe jo të jetë mburojë për mbrojtjen e interesave të grupeve qoftë joformale politike apo ekonomike. Andaj, ata që tentojnë ta ndalojnë vetingun sot dhe nuk ofrojnë propozime për realizimin e tij, janë në shërbim të këtyre grupeve dhe interesave të tyre”, thotë ai.

Murati thotë se vetingu është mënyra e vetme për të siguruar sistem të pavarur gjyqësor dhe drejtësi ndërkohë që thotë se në asnjë pjesë të raportit nuk ka evidentim të shkeljeve dhe se kjo është hera e aprë në një raport që nuk përmendet “shteti i kapur”.

“Për më tepër, z.Tahiri nuk di ta bëjë dallimin ndërmjet Raportit të Progresit dhe Raportit për Kosovën, si dhe Raportit për Kosovën dhe deklaratës preliminare të ekipit teknik të monitoruesve të zgjedhjeve.  Në asnjë pjesë të Raportit për Kosovën të KE-së nuk ka evidentim të shkeljeve nga ana e Presidentes sepse nuk ka pasur të tilla. Çka nuk do të gjej shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në raportin për Kosovën është “state capture” (kapja e shtetit), diçka qe e gjenim në raportin për vitet paraprake kur subjekti i tij ishte në qeverisje. Për më tepër, shefi i tanishëm i Grupit Parlamentar, në role të ndryshme, ka qenë pjesë e sistemit të tille të qeverisjes. Andaj, kredibiliteti i kritikave të tyre të pabazuara është joekzistent.  Vetingu është mënyra e vetme për të garantuar që kemi sistem gjyqësor me integritet dhe profesional që funksionon në mënyrë të drejtë, efikase dhe larg ndikimeve politike apo ekonomike. Institucionet e Kosovës mbeten të palëkundura në qëndrimin dhe përkushtimin e tyre drejt zbatimit të këtij procesi jetik për sundimin e ligjit në vend”, përfundon Murati.