Gecaj: Bashkë me Haklajn dhe Tolajn u vra shpresa për hetimin e vrasjeve të mbi 100 aktivistëve të LDK-së

Gecaj: Bashkë me Haklajn dhe Tolajn u vra shpresa për hetimin e vrasjeve të mbi 100 aktivistëve të LDK-së

Aktuale November 24, 2021 - 16:25

Bajram Gecaj nga LDK-ja, ka kujtuar dy ish-policët e vrarë para 18 viteve, Isuf Haklaj dhe Sebahete Tolaj.

Gecaj ka shkruar se vrasja e tyre ndodhi për shkak të vullnetit dhe guximit që kishin për të hetuar krimet, përfshirë edhe nga ato më të ndjeshmet politike, transmeton Zeri.info.

“Fatkeqësisht, duket se kriminelët e organizuar, pos që vranë fizikisht Isufin e Sebahaten, mbytën njëkohësisht edhe shpresën dhe guximin për hetimin e vrasjeve të mbi 100 aktivistëve të LDK-së në periudhën e pasluftës. Vranë, pra, edhe nocionin e sundimit të rendit e ligjit, vranë shpresën e jetës së lirë e demokratike, vranë edhe mundësinë e prehjes së qetë të tyre dhe të ngushëllimit për familjarët e viktimave”, ka shkruar Gecaj.

Ai ka përmendur një detaj pse mund të jenë vrarë dy ish-policët.

“Tezaku Isuf më kishte informuar, diku rreth dhjetë ditë para atentatit, se kishte identifikuar tre individë vrasës potencial të Tahir Zemës, dhe se njëri nga të tre ishte padyshim vrasësi. Kjo, fatkeqësisht, ishte biseda ime e fundit me te”.

“Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj ishin profesionistë, prandaj edhe një herë apeloi, kërkoi dhe insistoi publikisht që prokuroria të hetoi seriozisht të gjeturat e Isufit e Sebahatit, të cilat besoi fuqishëm se janë edhe të dokumentuara dhe të arkivuara diku në sirtarët e policisë apo prokurorisë … shfletoni shkresat ju lutem dhe gjeni e dënoni vrasësit katilë; mos prisni që këte ta bëjnë ndërkombëtarët!”, ka shkruar Gecaj.

Po ashtu edhe Armend Zemaj bashkë me disa vepritarë tjerë të LDK-së, kanë bërë homazhe sot në varrezat e dy ish-policëve.

“Në përkujtim të luftëtarëve të lirisë, oficereve të policisë së Kosovës të vrarë tradhëtishtë në një pritë të organizuar, 18 vite më parë. Lavdi jetës dhe veprës së Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj”, ka shkruar Zemaj. /Zëri