Ambasada Gjermane ndryshon procedurat në terminë për viza pune

Ambasada Gjermane ndryshon procedurat në terminë për viza pune

Aktuale November 29, 2021 - 14:34

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se kanë ndryshuar procedurat në dhënien e terminëve për viza, me qëllim të nisjes së punësimit sipas Rregullës së Ballkanit Perëndimor.

Sipas këtyre ndryshimeve, nga 1 janari i vitit 2022, në fillim të secilit muaj do të hapet procedura për caktimin e terminit për vizë pune dhe do të qëndrojë e hapur për 2 deri 3 javë.

Po ashtu bëhet e ditur se për shkak të kërkesës tejet të lartë për caktim të terminëve, e cila i tejkalon dukshëm terminët që janë në dispozicion, duke filluar nga dhjetori 2021 terminët do të caktohen nëpërmjet procedurës së tërheqjes së shortit, transmeton Zeri.info.

“Për këtë, nga data 01.12.2021, në orën 14:00, fillimisht do të hapet një listë e re e regjistrimeve për kërkesa për terminë. Kjo listë do të jetë e hapur për regjistrime gjatë gjithë kohës deri më 17.12.2021, në orën 12:00. Lista më pastaj nuk do të mbyllet, sikurse ka qenë rasti deri tani, kur është arritur një numër i caktuar i përgjithshëm i regjistrimeve. Në vend të kësaj, lista aktuale e regjistrimeve do të mbyllet më 17.12.2021, në orën 12:00 dhe nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit do të përzgjidhen ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në janar/fillim të shkurt 2022”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Më tej thuhet se procedura e shortit do të realizohet në javën e 51-të kalendarike në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin nën mbikëqyrjen e më shumë personave. Në javën e fundit të dhjetorit të gjithë personat që përzgjidhen do të njoftohen për datën e saktë të terminit për vizë në periudhën në mes janarit dhe shkurtit.

Personat e interesuar do të kenë mundësinë që nga data 1 dhjetor në orën 14.00 deri më 17 dhjetor në orën 12.00 nëpërmjet sistemit online të terminëve të Ambasadës të shprehin interesimin e tyre për procedurën e shortit.

Njoftimin e plotë të Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë mund ta gjeni KETU. /Zëri