Rrëfim i gruas nga Klina që për 17 vjet rresht u dhunua nga burri i saj

Rrëfim i gruas nga Klina që për 17 vjet rresht u dhunua nga burri i saj

Aktuale December 02, 2021 - 19:15

Fati i saj ndryshoi para 19 vjetësh. Atë ditë kur familja kishte vendosur që vajzën e saj 33 vjeçe ta martojë me shkues.

Jeta u kthye në tmerr për gruan nga Klina, e cila ka vendosur të rrëfejë ekskluzivisht për ATV-në jetën e saj të trishtë, për dhunën që përjetoi 17 vjet rresht nga bashkëshorti i saj, i cili ka probleme mendore.

Këtë e kuptoi vetëm dy vjet pas martesës, pak para se ta lindte djalin, i cili u bë arsye e vuajtjeve dhe rezistencës së saj.

“Më kanë kerku me braktis djalin,“- tha ajo.

Ky ishte një kompromis që ajo nuk e pranoi me asnjë çmim. Thellë besonte se vuajtjeve do t’u vinte fundi dhe dashuria për fëmijën do ta ndryshonte sjelljen e burrit të saj.

“Asnjëherë nuk e lë fëmijën tim… Asnjëherë në botë.. masanej skom pasë rrrugëzgjidhje tjetër, veç me u kthy te burri…,”- u shpreh ajo.

Mbijetesa nën dhunën sistematike të burrit të saj, për 17 vjet, ishte e vështirë.

“Ka përdorë dhunë me shuplakë, me grusht, për floksh, me shkelum, me shtagë. Ka pasë raste kur ma ka afru thikën deri te fyti…Kam qenë duke shërby kafe. Edhe m’ka sha pse nuk po dhezet zjarri…,”-tha ajo.

Për më tepër, gruaja thotë se nuk gjeti mbështetje as tek institucionet.

“Unë mbi 200 herë e kam lajmëru rastin në polici. Deri në 50 seanca gjyqësore janë marrë për 17 vjet. Përgjigja e institucioneve ka qenë: shko te burri yt, nuk ki kah ja man, nuk ke rrugëdalje tjetër,”- tha ajo.

Pa punë, pa shtëpi e pa përkrahje nga familja, 52-vjeçarja ka hall edhe mbijetesën. Edhe paratë që i marrin përmes asistencës sociale, ajo thotë se burri nuk di t’i menaxhojë.

Nga institucionet zonja kërkon vetëm banim të përkohshëm, e më pas thotë se mund të punojë për çka edhe u shkollua para martesës.

“Unë jam e gatshme me punu si rrobaqepëse, si instruktore e rropaqepësisë, apo çkado tjetër, vetëm që ta sigurojë bukën e gojës,”- tha ajo.

Krahas mbijetesës përballë dhunës, ajo forcën për mbijetesë e gjeti te pasioni i saj – leximi.

“Mu m’ka ndihmu libri “Shërimi i vetvetes”, ku me pasë mundësi që të kujdesesh për vetveten. Ai është libër që të ndihmon që mos ta humbësh veten,”- shtoi ajo.

Për të gjitha gratë që janë duke përjetuar të njëjtën situatë, zonja nga Klina ka një mesazh.

“Asnjëherë mos e duro dhunën. Gjithmonë të jesh vetvetja. Dhuna nuk durohet nga askush. Në asnjë mënyrë,”- u shpreh tutje ajo.

52-vjeçarja ka vendosur të mos durojë më. Ajo shpreson të gjejë një zgjidhje për t’ia dalë e vetme.