Çitaku Kurtit: Shko në Washington

Çitaku Kurtit: Shko në Washington

Aktuale December 02, 2021 - 20:10

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet Bashkuara të Amerikës, tash nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është deklaruar rreth procesit të dialogut me Serbinë. Ajo ka thënë se kryeministri Kurti duhet të udhëtojë në SHBA dhe të ketë takime me zyrtarë të lartë.

Çitaku ka thënë se kryeministri Albin Kurti, në raport me dialogun, është peng i fjalëve të veta.

Megjithatë, nënkryetarja e PDK-së tha se Kurti duhet ta dijë se kur është në Bruksel, PDK-ja do ta mbështetë atë.

“Nuk është se kam parë konsistencë nga ana e qeverisë në raport me dialogun. Njëherë kanë thënë se nuk e kanë prioritet fare. Pastaj kanë thënë se është prioriteti i shtatë. Kështu që nuk është se kam parë konsistencë. Kryeministri Kurti, unë mendoj se në raport me dialogun, është peng i fjalëve të veta”.

“Kryeministri duhet ta dijë se kur shkon në Bruksel, kur ulet përballë Aleksandar Vuçiqit, Partinë Demokratike të Kosovës e ka mbrapa. Ne do t’i bëjmë opozitë Kurtit për çështje të brendshme. Mirëpo, për disa pika të rëndësishme të politikës së jashtme, ne duhet të jemi në gjendje të ndërtojmë një konsensus dhe të jemi bashkë”, ka thënë ajo.

Duke folur për procesin e dialogut, Çitaku ka thënë se kryeministri Kurti duhet të udhëtojë në SHBA dhe të ketë takime me zyrtarë të lartë.

“Ne duhet ta kemi të qartë se ‘status quo’ nuk na konvenon neve si Kosovë. Ne duhet ta kemi ndjenjën e urgjencës. Ne duhet të trokasim në Washington. Dhe unë e ftoj kryeministrin që në vend se të debatojë publikisht me zyrtarë amerikanë, duhet të udhëtojë sa më parë në Washington. Ne nuk duhet t’i marrim të mirëqena raportet me SHBA-në. SHBA-ja nuk na ka borxh të na qëndrojë pranë, kur ka shumë sfida në nivel global. Bota ka ndryshuar, është multipolare, ka qendra tjera gravitacioni në botë. Ne duhet të bëjmë shumë më shumë që t’i mirëmbajmë raportet me SHBA-në dhe kemi parë një sjellje tërësisht të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës në raport me gazpërçuesin”, ka thënë Çitaku për Telegrafin.