Serbët e Kosovës mësyjnë Serbinë për të marrë pjesë në referendum

Serbët e Kosovës mësyjnë Serbinë për të marrë pjesë në referendum

Aktuale January 16, 2022 - 10:20


Me qindra qytetarë serbë të Kosovës po kalojnë kufirin për në Serbi për të marrë pjesë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës.

Në orët e para të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut është mbajtur një protestë e serbëve, drejtuar nga kreu i Listës Serbe, njëherësh ministër në qeverinë “Kurti”, Goran Rakiq.

Ai ka bërë të ditur se kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

Rakiqi bëri me dije se do të vendosin reciprocitet në veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqit dhe Zveçanit, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Ndërkohë një pjesë e protestuesve që kërkonin të lejohet votimi në referendumin e Serbisë kanë improvizuar sikur janë duke votuar për këtë referendum.

Në pikën kufitare Jarinjë janë parë forcat Speciale të Policisë së Kosovës të gatshme për të ndërhyrë në rast nevoje.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar organizimin e referendumit të Serbisë në territorin e saj. Gjatë seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës votoi me 76 vota pro rezolutën që ndalonte organizmin e referendumit në Kosovës.

Përveç Vetëvendosjes, rezoluta u përkrah nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kurse Partia Demokratike e Kosovës e bojkoti seancën.

Ndonëse Serbia bëri thirrje për pjesëmarrje të serbëve që jetojnë në Kosovë, autoritetet në Prishtinë thonë se nuk e njeh të drejtën e një shteti tjetër për të mbajtur referendum në territorin e një shteti tjetër sovran.

Interesimi për pjesëmarrje në këtë referendum është i ulët pasi bëhet fjalë më shumë për një çështje teknike. Serbët do të votojnë këtë të diel për disa amendamente të Kushtetutës ku përcaktohet mënyra se si zgjidhen gjykatësit dhe prokurorët me qëllim sigurimin e një sistemit të pavarur juridik, si kusht për anëtarësimin në BE. /Euronewsalbania