Vuçiqi paralajmëron pasoja për Kosovën që nuk lejoi votimin e serbëve

Vuçiqi paralajmëron pasoja për Kosovën që nuk lejoi votimin e serbëve

Aktuale January 16, 2022 - 13:34

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendimi i Kosovës për të mos lejuar që të hapen qendrat e votimit në Kosovë për të votuar për referendumin në Serbi do të ketë pasoja të rënda.

“Do të ketë pasoja të gjera, por ata nuk duhet të dinë gjithçka e të dëgjojnë gjithçka”, ka thënë Vuçiq raporton “N1”. “Sido që të jetë, ne jemi krah njerëzve tanë në Kosovë e M. dhe së bashku me njerëzit tanë do të marrim vendime për të ardhmen”.

Vuçiq, që ka votuar në referendum për ndryshimin e Kushtetutës, ka thënë se sjellja e Kosovës nuk është befasi, ndërsa ka thënë se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti po i ngacmon dhe maltreton serbët.

“Serbët nëpërmjet përfaqësuesit të Listës serbe dje thanë atë që deshën, madje edhe sot treguan se vota e serbëve të Kosovës e M është ‘po’, ‘po’ për Serbinë e jo për Kurtin”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka shtuar se shtetet e Quintit janë në gjendje t’u bëjnë thirrje shqiptarëve të respektojnë demokracinë e lejojnë serbët të votojnë, "por nëse shqiptarët nuk lejojnë këtë atëherë nuk dëgjohet asnjë protestë e aq më pak ndonjë veprim apo sanksionim".

Qeveria e Kosovës ka ndaluar hapjen e qendrave të votimit në Kosovë për t’u votuar për referendumin e Serbisë. Por qytetarëve serbë në Kosovë u është mundësuar votimi nëpërmjet Zyrës ndërlidhëse apo edhe me postë.