Sot, 10 vjet nga fillimi i dialogut me BE-në për liberalizim vizash

Sot, 10 vjet nga fillimi i dialogut me BE-në për liberalizim vizash

Aktuale January 19, 2022 - 08:34

Një dekadë e tërë është mbushur sot prejse ka filluar Kosova të dialogojë me Bashkimin Evropian për të fituar të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen.

Shumë kushte standarde dhe të tjera ad-hoc i janë vendosur Kosovës brenda këtyre 10 vjetëve, por e kotë. Vizat ende janë një proces që shtetasit e Kosovës i përpëlitin nëpër radhët e gjata përpara ambasadave, ose t’i nënshtrohen shortit, raporton “Zëri”.

Të paktë janë ministrat e jashtëm dhe kryeministrat e kohës që nuk kanë premtuar, ose nuk kanë lajmëruar liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e menduar si proces të kryer, por pa sukses. Madje, dikur në Ministrinë e Integrimit Evropian, që udhëhiqej nga Bekim Çollaku, ishin hapur edhe shampanja për gëzim, mirëpo përsëri asgjë nuk ndodhi.

Dikur u vendos si kusht për liberalizim votimi i Demarkacionit. Ai u votua, vizat nuk erdhën. Njëjtë ndodhi me taksën dhe me shumë procese të tjera.

Instituti EPIK ka publikuar një grafikë, ku tregon se Kosova tashmë ka mbushur dhjetë vjet prejse po dialogon më BE-në, teksa ka radhitur vitet sa u janë dashur shteteve të tjera.

Gjeorgjisë i janë dashur katër vjet, Moldavisë e Ukrainës gjithashtu katër vjet. Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga tre vjet dialog, teksa Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut vetëm dy vjet dialog. /Zëri