Mbërrin në Kosovë shefja e re e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh

Mbërrin në Kosovë shefja e re e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh

Aktuale January 19, 2022 - 10:41

Tashmë ka mbërritur në Kosovë nga Libani Caroline Ziadeh si përfaqësuese e sekretarit të përgjithshëm në Kosovë dhe shefe e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Caroline Ziadeh vjen në Kosovë duke pasuar paraardhësin e saj Zahir Tanin, raporton “Zëri”.

Pas shërbimit që nga viti 2017 si drejtoreshë e Departamentit të Organizatave Ndërkombëtare, Konferencave dhe Shërbimeve Kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve të Libanit, Ziadehu sjell me vete një përvojë gati 30-vjeçare në diplomacinë ndërkombëtare me njohuri të gjerë të Kombeve të Bashkuara, ku udhëhoqi delegacionet kombëtare në Kombet e Bashkuara për çështje të ndërlidhura me të drejtat e njeriut, agjendën mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe migrimin.

Ish-zëvendëse e përfaqësuesit të përhershëm të Libanit pranë Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork (2006-2017) PSSP Ziadeh shërbeu në ambasadat e Libanit në Mbretërinë e Bashkuar (2004-2006), në Belgjikë dhe Bashkim Evropian (1994-1999), si dhe në Misionin e Përhershëm të Libanit në Vjenë dhe ambasadat në Austri, Kroaci dhe Sllovaki (1999-2002).

Ziadehu mban diplomë Bachelor të Arteve dhe Master të Arteve në Ekonomi dhe Shkenca Politike nga Universiteti Libanez, Bejrut dhe diploma në Marrëdhëniet Ndërkombëtare nga universiteti “Libre de Bruxelles” dhe Akademia Diplomatike e Vjenës. Ajo flet rrjedhshëm arabisht, anglisht dhe frëngjisht.

“Pres me padurim të angazhohem me autoritetet e Kosovës dhe shoqërinë civile, si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në Kosovë dhe rajon. Nën udhëheqjen time, UNMIK-u do të mbajë përkushtimin për të mbështetur institucionet dhe popullin e Kosovës në realizimin e një të ardhmeje më paqësore dhe prosperuese përmes promovimit të të drejtave të njeriut, ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve dhe fuqizimit të agjentëve të ndryshimeve pozitive, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë. UNMIK-u do të mbetet i palëkundur në mbështetje ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe paqes e pajtimit afatgjatë,” theksoi PSSP Ziadeh.