COVID-19 sulmon të sëmurët me kancer, flet drejtori i Klinikës së Onkologjisë

COVID-19 sulmon të sëmurët me kancer, flet drejtori i Klinikës së Onkologjisë

Aktuale January 28, 2022 - 08:19

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se ka një numër të konsiderueshëm të pacientëve me sëmundje të kancerit që janë infektuar për herë të dytë me COVID-19.

Sipas tij, shumica prej tyre fatmirësisht e kanë kaluar si një grip të zakonshëm, teksa ka shtuar se të infektuarve me COVID-19 u është ndërprerë trajtimi onkologjik, teksa pas shërimit u është rikthyer trajtimi i nevojshëm.

“Për fat të mirë shumica nga ta e kanë tejkaluar sëmundjen si një grip të zakonshëm dhe nuk kanë pasur nevojë për hospitalizim dhe për trajtim intensiv. Atyre u është ndërprerë trajtimi onkologjik pasi kanë qenë me virus dhe një numër nga ta kanë filluar këto ditë të lajmërohen, pas izolimit dhe pas tejkalimit të sëmundjes kanë vazhduar mjekimet onkologjike, të cilat janë pjesë e domosdoshme e trajtimit të sëmundjes së tyre”, ka thënë ai.

Kurtishi tha se shumica nga pacientët kanë qenë të vaksinuar me dy doza, e një numër nga ta janë të vaksinuar edhe me dozën e tretë.

“Nuk ka pasur ndonjë pacient me kancer që ne e dimë që ka përfunduar me fatalitet. Pacientët janë infektuar edhe pas vaksinimit, por që e kanë kaluar sëmundjen si një grip të zakonshëm dhe me probleme shumë të vogla”, u shpreh ai.

“Mundet me qenë disa qindra, 200-300 veta, mirëpo në gjendje të rëndë nga ta sa kemi informacion nuk ka asnjë, pasi ata janë lajmëruar dhe kanë pasur konsulta me mjekët tanë”, tha ai. /EO