Axios: SHBA-ja do t’ua refuzojë hyrjen disa afganëve që janë në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Axios: SHBA-ja do t’ua refuzojë hyrjen disa afganëve që janë në Kosovë

Aktuale May 16, 2022 - 19:27

Admnistrata e Joe Biden po përgatitet që t’i njoftojë 16 afganë, që aktualisht janë duke qëndruar në “Bondsteel”, se do t’iu refuzohet hyrja në SHBA.

Dy zyrtarë nga Shtëpia e Bardhë i kanë thënë agjencisë amerikane të lajmeve “Axios” se Departamentii Shtetit planifikon që gjatë ditës së sotme ta informojë Qeverinë e Kosovës për vendimin final, derisa do të informojë edhe afganët, të cilëve u është mohuar hyrja, për statusin e tyre të ri.

Kjo është hera e parë që administrata amerikane ka kërkuar për afganët e strehuar në Kosovë një verifikim shtesë përpara se t’iu lejohet hyrja në ShBA, njofton klankosova.

Refuzimi i hyrjes në ShBA erdhi pas shqetësimeve të sigurisë, ose identifikimin e lidhjeve të mundshme me talebanët ose organizatat terroriste.

“Axios” raporton, duke cituar burime të afërta, se Departamenti Amerikan i Shtetit po shqyrton dy opsione për këta 16 afganë.

Njëra, nga këto opsione, është të punojë me talebanët për të lehtësuar kthimin e tyre në Afganistan dhe opsioni tjetër është që t’i bindin vendet e tjera që t’i pranojnë ata.