Kurti: Profesori Ukshin Hoti mbetet busulle etike, politike dhe intelektuale

Kurti: Profesori Ukshin Hoti mbetet busulle etike, politike dhe intelektuale

Aktuale May 16, 2022 - 23:17

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 23-vjetorin e zhdukjes, e ka kujtuar veprimtarin, patriotin e politikanin intelektual, Ukshin Hoti.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Ukshin Hoti mbetet busulle etike, politike dhe intelektuale për gjenerata të akademikëve shqiptarë dhe qytetarë të angazhuar politikisht.

“Është edhe një nga 1,617 personat e zhdukur me dhunë në Republikën e Kosovës, nga lufta e fundit. Në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, nga java e kaluar kanë filluar gërmimet në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë”.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, ka kërkuar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, që të ndajnë informata për vendndodhjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës”, ka thënë Kurti.

Postimi i plotë:

23 vite mungesë e zbrazëti e paplotësuar për veprimtarin patriot e politikanin intelektual, Ukshin Hoti

Pas lirimit të tij të fundit nga burgu, ai u dërgua në një vend të panjohur. Sot e asaj dite nuk dihet për fatin e vendndodhjen e tij. Janë bërë 23 vite nga rrëmbimi dhe zhdukja pas lirimit të profesorit Ukshin Hotit.

Por nuk mund të zhduket një nga mendjet më të ndritura të kombit.

Shkencëtari i mirëfilltë i politikës, Ukshin Hoti, është në veprën që ka lënë. Në tre librat e tij që do të jetojnë edhe pas neve: “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, “Lufta e ftohtë dhe detanti” si dhe “Bisedë përmes hekurash”.

Profesori Ukshin Hoti mbetet busulle etike, politike dhe intelektuale për gjenerata të akademikëve shqiptarë dhe qytetarë të angazhuar politikisht.

Është edhe një nga 1617 personat e zhdukur me dhunë në Republikën e Kosovës, nga lufta e fundit.

Në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, nga java e kaluar kanë filluar gërmimet në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë.

Delegacioni i Republikës së Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, ka kërkuar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, që të ndajnë informata për vendndodhjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës.

Delegacioni udhëhiqet nga Andin Hoti, që njëherit kryeson Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur. Andini ishte 12 vjeç, kur e kishte parë për herë të fundit babanë e tij, Ukshinin. Përqafimin e fundit ia kishte dhënë përmes grilave.

Ai është rritur bashkë me dhimbjen dhe ankthin me të cilën familjet përballen tash e 23 vite. Kjo dhimbje e ky ankth i familjeve rritet çdo ditë e më shumë.

Andaj, jemi zotuar e kemi marrë për detyrë parësore të këmbëngulim te Serbia, si përgjegjëse për zhdukjen e tij, dhe çdo qytetari tjetër tonë, që sa më shpejt të zbardhet fati i të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

Përkulemi para kujtimit të Bacës Ukë, para familjes Hoti e të gjitha familjeve që përditë e ndjenjë mungesën e thellë të më të dashurve të tyre.
Rivendosjen e drejtësisë e kemi borxh e obligim ndaj çdo familje të Kosovës, por mbi të gjitha për vërtetësinë dhe qëndrueshmërinë tonë si shtet e si popull.