Pretendenti për mbret propozohet për president të Shqipërisë

Pretendenti për mbret propozohet për president të Shqipërisë

Aktuale May 19, 2022 - 14:52

Leka Zogu, pretendenti për fronin e Shqipërisë, është një prej emrave të propozuar për t’u bërë presidenti i ardhshëm i Republikës.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, emri i Zogut është propozuar nga deputetja Dhurata Çupi dhe është kaluar për diskutim të thelluar bashkë me 7 kandidatura të tjera.

Leka Zogu është nipi i Ahmet Zogut, i cili pasi shërbeu si President i vendit në vitet 1925-28, shpalli Monarkinë, që zgjati deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia.

Deputetët Saimir Korreshi dhe Xhelal Mziu kanë propozuar Halim Kosovën, ndërsa Mziu ka propozuar edhe emrin e Rexhep Ukës. Ndërkohë, mësohet se emri i ish-Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, nuk ka kaluar në listën që do të diskutohet më gjerësisht nga opozita.

Emrat e PD-së deri tani janë tetë:

1. Leonard Demi

2. Arben Çejku

3. Dritan Demiraj

4. Visar Zhiti

5. Rexhep Uka

6. Halim Kosova

7. Dashamir Shehu

8. Leka Zogu.

Një ditë më parë, mazhoranca dhe opozita ranë dakord që në dy raundet e ardhshme, kandidaturat për postin e Presidentit të prezantohen vetëm nga opozita. Marrëveshja erdhi pas insistimit edhe të opozitarëve të tjerë në tryezë. Fatmir Mediu, Mesila Doda dhe Agron Duka detyruan Alibeajn të pranonte që diskutimi të kalonte te kandidaturat konkrete.

Marrëveshja e arritur nuk do të thotë se PS-ja do të pranojë automatikisht propozimet e opozitës. Nëse nuk ka dakordësi për kandidaturat deri në raundin e tretë që kërkojnë shumicë të cilësuar me 84 vota, socialistët më pas do të dalin me propozimet e veta në dy raundet e fundit, që mundësojnë zgjedhjen e Presidentit të ri me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. /A2