Beogradi reagon pas aksionit policor në Shtërpcë

Beogradi reagon pas aksionit policor në Shtërpcë

Aktuale July 07, 2022 - 11:05

Ka ardhur reagimi i zakonshëm nga Beogradi pas aksionit të Policisë së Kosovës në Shtërpcë, ku u hoqën dhe u sekuestruan kamerat e vendosura nga strukturat ilegale të Serbisë.

E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe reagoi përmes një komunikate, ku aksioni i Policisë cilësohet si “Sulm dhe presion ndaj serbëve”.

“Më shumë se 30 pjesëtarë të ROSU-s sot në mëngjes kanë bastisur Shtërpcën, me qëllim të frikësimit dhe ngacmimit të serbëve në këtë komunë”, u tha në reagimin e lëshuar.

Kjo zyrë, e udhëhequr nga kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, tha se policët po ngjiten nëpër shtylla, nga ku po i heqin kamerat e vëzhgimit që “nuk funksionojnë prej disa vitesh”.

“Ndonëse njësitë nga Prishtina e dinë shumë mirë se kamerat, të cilat janë instaluar ‘ligjërisht’ para gati dhjetë vjetësh, nuk kanë qenë në funksion për një kohë të gjatë dhe këtë e kanë kontrolluar disa herë në ditët e kaluara, kjo u shërbeu si arsyetim që përsëri të hyjnë në Shtërpcë, për t’i ngacmuar njerëzit, të cilët nuk mund të funksionojnë normalisht”, shkruan tutje Zyra e Petkoviqit.