Kurti pas Marrëveshjes me MCC-në: S’ka pozitë e opozitë për progresin e Kosovës

Kurti pas Marrëveshjes me MCC-në: S’ka pozitë e opozitë për progresin e Kosovës

Aktuale July 28, 2022 - 14:40

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar nga SHBA-ja, pasi Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen me MCC-në, nga e cila Kosova përfiton mbi 200 milionë euro.

Kurti ka falënderuar 89 deputetët që votuan për këtë marrëveshje, ndërsa tha se nuk ka pozitë e opozitë për progresin e Kosovës dhe ndihmën e SHBA-së, transmeton Zeri.info.

“Nuk ka pozitë e opozitë për progresin e Kosovës dhe ndihmën e SHBA-së. Ende pa u bërë 2/3 e një dite të vetme pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Washington DC, Kuvendi i Kosovës i kaloi 2/3 e deputetëve duke e ratifikuar atë sot”.

“I falënderoj të gjithë dhe secilin nga 89 deputetët që me votën e tyre PËR ratifikuan grantin mbi 200-milionësh të MCC-së për energji e zhvillim. Mbështetja unanime e legjislativit për Programin Kompakt konfirmon ndikimin universal të saj: do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Republikës”, shkroi Kurti.

Kreu i Qeverisë ka thënë se kjo marrëveshje do të sjellë investime të reja.

“Nëpërmjet këtij granti, bashkë po trasojmë rrugën për një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të sigurt dhe të pastër. Një investim gjigand që do të sjellë investime të reja”, shkroi Kurti. /Zëri