SHBA-ja kërkon të shtyhet reciprociteti për 30 ditë

SHBA-ja kërkon të shtyhet reciprociteti për 30 ditë

Aktuale July 31, 2022 - 23:31

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier ka folur pas takimit që sonte ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, pas situatës në veri.

Hovenier tha se vendimi për reciprocitet është i bazuar në marrëveshjet e Brukselit, ndërsa shtoi se bashkë me shtetet e Quintit po punojnë që palët të mos i keqkuptojnë këto vendime.

Në një deklaratë para gazetarëve Hovenier, tha gjithashtu se ka kërkuar nga liderët e Kosovës që të shtyjnë implementimin e dy vendimeve për 30 ditë, e ë është vendimi për reciprocitet me dokumentet e identifikimit që hyn në fuqi nga 1 gushti dhe ai për targat e veturave nga 30 shtatori, raporton Zeri.info.

“Jam këtu që në emër të Qeverisë amerikane të kërkoj shtyrjen e zbatimit të këtyre dy marrëveshjeve për 30 ditë. Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime. Ne shpresojmë se do të punojmë me këtë Qeveri dhe kolegët nga Bashkimi Evropian që të sigurojmë se këto marrëveshje kuptohen më mirë dhe në këtë mënyrë të ulim tensionet.

Hovenier ka thënë se për asnjë moment nuk ka kërkuar që marrëveshjet të rishqyrtohen.

“Dua të përmend se jemi të shqetësuar që disa individë kanë vendosur të tregojnë pakënaqësitë për këto vendime duke krijuar barrikada apo duke kufizuar lirinë e lëvizjes. Ne nuk inkurajojmë diçka të tillë. Rruga e duhur është përmes dialogut civil”, ka thënë mes tjerash ai. /Zëri