Qytetarët në Mitrovicë: Sirenat na kujtuan luftën

Qytetarët në Mitrovicë: Sirenat na kujtuan luftën

Aktuale August 01, 2022 - 21:46

Sirenat që u dëgjuan në pasditen e 31 korrikut në Komunën e Mitrovicës së Veriut sinjalizuan “rrezikun” për qytetarët në këtë komunë, e cila është e banuar me shumicë serbe.

Sirenat e shqetësuan tej mase Milla Jankoviqin, banore e kësaj komune.

“Më përkujtoi luftën. E çka tjetër? Unë e kam përjetuar një luftë”, thotë Milla Jankoviq dhe shtoi:

“Kam qenë në qendër të blija qumësht, kur filloi alarmi. E dëgjova alarmin dhe thash, çfarë është kjo? U frikësova dhe fillova të vrapoj.... patëm stres të madh unë, burri dhe të gjithë ne”.

“Kur i dëgjoj sirenat, kjo më përkujton fatkeqësinë, kohët e vështira. Thjesht është e parehatshme. Nuk e dini se çfarë ndodh, jeni në panik. Ndoshta ne më të moshuarit këtë e durojmë pak më lehtë, por si ndikon kjo te të rinjtë”, thotë Millosh Illiq qytetar nga Mitrovica e Veriut.

Sirenat e alarmit publik në Mitrovicë të Veriut, që ngjasojnë me tingujt paralajmërues të sulmeve ajrore, kanë nisur të bien të dielën, pas orës 17:00 dhe kanë vazhduar për tri orë. Ato rëndom lëshohen kur nga popullata lokale kërkohet të organizohet për ndonjë ngjarje. Sa herë që bien sirenat në veri të Kosovës, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada.

Këtë herë, sirenat ftuan qytetarët serbë që të dalin dhe kundërshtojnë vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me letërnjoftimet dhe targat serbe. Shumë shpejtë, në rrugët e veriut të Kosovës u vendosën edhe barrikada.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, 15 minuta pas lëshimit të alarmit u vendosën barrikada në nëntë lokacione në veriun e Kosovës. Barrikadat u hoqën më vonë gjatë 1 gushtit.

A i aktivizoi sirenat Mbrojtja Civile?

REL-i  i është drejtuar Policisë së Kosovës me pyetjen se kush i ka aktivizuar me sirenat, të cilat më 31 korrik, për disa orë alarmuan rrezikun.

Branisllav Radoviq, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, thotë se nuk ka informacione të sakta.

“Nuk kam informacione, por me siguri këtë e ka bërë komuna ose Mbrojtja Civile [Civilna zastita]. Mendoj që komuna është përgjegjëse për njoftim”, thotë Radoviq.

Komuna e Mitrovicës së Veriut udhëhiqet nga Lista Serbe – parti kryesore e komunitetit serb në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Radoviq megjithatë thotë se nuk ishte në dijeni nëse sirenat janë aktivizuar nga komuna që funksionon sipas sistemit të Kosovës, apo ajo paralele që funksionon sipas sistemit të Serbisë. Lista Serbe i udhëheq strukturat komunale të të dy sistemeve.

Mbrojtja Civile ka qenë një strukturë paralele e Serbisë në veri të Kosovës, e cila është shpërbërë në vitin 2015, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas kësaj marrëveshjeje, qindra pjesëtarë të kësaj strukture janë punësuar në institucionet e Kosovës.

Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mbrojtja Civile ishte themeluar më 2006, në kohën kur në Serbi, kryeministër ishte Vojisllav Koshtunica.

Kjo strukturë kishte pjesëtarë të uniformuar, ndërkaq që nga zyrtarët e atëhershëm serbë përshkruheshin si strukturë që kryen punë të caktuara në komunat veriore të vendit, sikurse përballja me fatkeqësitë elementare nga zjarri, vërshimet dhe kështu me radhë.

Deri në vitin 2014, kjo strukturë paralele dhe jolegale, kishte arritur që t’i ketë brenda vetes 751 persona, të cilët paguheshin nga Qeveria e Serbisë. Pjesëtarët e saj kishin të kaluar ose ishin trajnuar me metoda ushtarake.

Kompetencat për aktivizimin e sirenave “janë përzier”

Në kuadër të pushteteve komunale në Kosovë, funksionojnë drejtoritë e shërbimeve publike, mbrojtjes dhe shpëtimit. Drejtoritë e tilla kanë kompetencë për vlerësimi i rrezikshmërisë nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera brenda territorit të komunës.

Drejtoritë e tilla kujdesen edhe për funksionimin dhe aktivizimin e Sistemit të Alarmit Publik.

Në faqen e internetit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, për drejtorinë e tillë nuk ofrohet asnjë informacion.Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, pohon se për aktivizimin e Sistemit të Alarmit Publik është kompetente Drejtoria e shërbimeve publike, mbrojtjes dhe shpëtimit e kësaj komune. Por, siç thotë ai, “kompetencat janë përzier”.

“Tash, realisht, ajo që po ndodh në veri, janë përzier kompetencat me sistemin paralel [institucionet paralele serbe]. Mbrojtja civile është ajo... realisht ende nuk është shuar”, thotë Sadiku, duke aluduar se njerëzit e kësaj strukture janë përgjegjës për aktivizimin e alarmit publik në Mitrovicën e Veriut.

“E gjithë kjo është kompetencë e kryetarit të komunës”

Megjithatë, ai nuk mund të saktësojë se nga kush marrin urdhër ata për një veprim të tillë.

Njohësi i aspekteve të sigurisë, Verolub Petroniq, cili drejton organizatën joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, thotë se ligjërisht, aktivizimi i sirenave që alarmojnë rrezikun nga fatkeqësitë elementare, nga fatkeqësitë ekologjike dhe nga sulmet ajrore, janë kompetenca të sektorit të situatave të jashtëzakonshme.

Në rastet kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme, sipas tij, aktivizimi i alarmit duhet të jetë kompetencë e Shtabit komunal për situata të jashtëzakonshme, i cili udhëhiqet drejtpërdrejtë nga kryetari i komunës.

“Në këtë pikë nuk kemi të bëjmë me institucione paralele ose jo. Bëhet fjalë se për atë që e mbanë gishtin në sustën e sirenës dhe kë e dëgjon ai. E gjithë kjo është në kompetencë të kryetarit të komunës”, thotë Petroniq.Ai shton se pavarësisht se kush i aktivizoi sirenat për alarm më 31 korrik, ka shkelur kufizimet kohore të përcaktuara me rregullore për kohëzgjatjen e alarmimit.

“Për momentin, në terren, kemi keqpërdorim, fillimisht për shkak të tejkalimit të kohës [të aktivizimit të sirenave] dhe së dyti, për shkak të ndikimit në sigurinë e qytetarëve. Tingujt konstant të sirenës, që janë alarmues, sjellin panik në mesin e qytetarëve dhe për më shumë, i frikësojnë njerëzit. Në një frikë të tillë mund të arrihet, fjalë për fjalë, deri tek aksidente më të mëdha ose përshkallëzim të konfliktit”, thotë Petroniq.

Sipas rregullores 18/2013 të Qeverisë së Kosovës për Organizimin dhe operimin e sistemit të monitorimit, njoftimit dhe paralajmërimit, janë përcaktuar edhe shenjat e alarmit, të cilat janë të kufizuara maksimalisht dy minuta për paralajmërim të rrezikut dhe një minutë për përfundimin e rrezikut.

Aktualisht, kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut është Millan Radojeviq nga Lista Serbe.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar atë, por edhe drejtuesit tjerë të Listës Serbe, për të marrë një përgjigje se kush është përgjegjës për aktivizimin disa orësh të sirenave në Mitrovicën e Veriut, por ata nuk i janë përgjigjur thirrjeve telefonike.

Thirrjeve telefonike të Radios Evropa e Lirë nuk i është përgjigjur as nënkryetarja e kësaj komune, Adrijana Hoxhiq.

Me sugjerimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës, në orët e vona të 31 korrikut, ka vendosur që ta shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve për targat dhe letërnjoftimet serbe, por me kushtin që të hiqen të gjitha barrikadat, të cilat ishin vendosur nga serbët lokalë në rrugët që çojnë në drejtim të dy vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi, në Jarinjë dhe Bërnjak.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, më 1 gusht, ka theksuar se gjithsej ishin vendosur nëtë barrikada në veri të Kosovës, siç tha ai “me njerëz të armatosur”, të cilët kanë ndaluar qytetarët dhe kanë shtënë me armë zjarri.

Qeveria e Kosovës më 29 qershor vendosi që qytetarët e Serbisë, që hyjnë në Kosovë, të pajisen me dokumentin për hyrje-dalje, pasi një praktikë të tillë, Beogradi e aplikon ndaj qytetarëve të Kosovë qe 11 vjet.

Po ashtu, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa me akronim të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – në targat RKS (Republika e Kosovës). Në veriun e banuar me shumicë serbe, besohet se 10.000 makina kanë targa të tilla, me akronime sikurse KM (Mitrovicë e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj) e të ngjashme.

Pas heqjes së barrikadave, zbatimi i këtyre dy vendimeve është shtyrë për më 1 shtator.