
Vuçiq: Të dielën mbrëma në Kosovë “mezi është shmangur skenari më i keq”
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se situata në Kosovë të dielën mbrëma ishte “në prag të katastrofës” dhe se “mezi është shmangur skenari më i keq”.
Gjatë pjesëmarrjes në emisionin qendror të Radiotelevizionit të Serbisë, Vuçiç vlerësoi se thelbi i problemit është se disa në rajon me sa duket mendojnë se duhet të shfrytëzojnë mundësinë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, “në të cilën Serbia duhet të lidhet me Rusinë dhe të thuhet se Vuçiçi është Putini i vogël në mënyrë që i gjithë Perëndimi të sulmonte Serbinë pasi ata nuk mund ta sulmojnë Putinin”.
Vuçiç tha se më 18 gusht do të shkojë në Bruksel për bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai shtoi se “nuk e ka të vështirë sepse ka pasur ditë më të vështira pune”, por ka theksuar se nuk beson në çdo gjë dhe se “shumë gabon ai që mendon se është e mundur të ruhet paqja me Kurtin”.
Ai ka mohuar se ka marrë porosi nga NATO se aleanca ushtarake do të veprojë brenda pak orësh nëse Serbia sulmon Kosovën dhe tha se askush nuk do ta kërcënojë Serbinë dhe as që e ka kërcënuar. Këtë skenar ai e ka quajtur “skenar për fëmijë të vegjël”.
Ai shtoi se gjithmonë “do të gjunjëzohet dhe lutet për paqe”, por se nuk do të heshtë kur dikush i kalon kufijtë dhe mendon se ka të drejtë të bëjë pogrom kundër serbëve, "sepse mendon se është shtet sovran”.
Ai ka theksuar se Kosova “nuk është shtet sovran” dhe se “nuk ka sulm ndaj Kosovës, sepse është pjesë e Serbisë sipas ligjit ndërkombëtar”, , transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke komentuar kërkesën e kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, Bakir Izetbegoviq, që Serbia t'i paguajë dëmshpërblimet e luftës Bosnjë e Hercegovinës, Vuçiç, mes tjerash, tha se, “Nuk na shkon në mendje të bëjmë luftëra me boshnjakët dhe ne nuk përgatitemi për luftëra, ndërsa politika jonë ndaj boshnjakëve duhet të jetë politikë e dorës së shtrirë dhe kjo është e vetmja politikë e mundshme”.