Kosova, në vendin e 140-të nga 142 vende për forcën ushtarake

Kosova, në vendin e 140-të nga 142 vende për forcën ushtarake

Aktuale August 08, 2022 - 10:58

Sipas raportit vjetor “Global Firepower”, i cili vlerëson fuqinë ushtarake të secilit shtet, Kosova është në vendin e 140-të, nga 142 shtete që janë marrë në konsideratë.

Raporti vjetor vlerëson vendet, duke filluar nga diversiteti i armëve dhe fuqia punëtore e disponueshme, te vendndodhja gjeografike dhe fuqia financiare për të përcaktuar se cilat kombe dominojnë botën për sa i përket fuqisë ushtarake, shkruan Zeri.info.

Gjatë vlerësimit janë përdorur më shumë se 50 faktorë.

Kosova është vlerësuar me rezultat 13.9136 (rezultati 0.0000 konsiderohet ‘perfekt’), ndërsa thuhet se ushtria e saj ka tendenca për rritje.

E para në renditje është SHBA-ja, e ndjekur nga Rusia, Kina dhe India, ndërsa në top 10 janë edhe Japonia, Koreja e Jugut, Franca, Britania e Madhe, Pakistani dhe Brazili.

Turqia dhe Irani janë pozicionuar në vendin e 13-të, përkatësisht të 14-të, kurse Gjermania në të 16-tin.

E Ukraina, për dallim nga Rusia, që gjendet në vendin e 2-të, e me të cilën është në luftë që nga muaji shkurt i këtij viti, renditet 20 vende më poshtë (22).

Sipas këtij raporti, del se Serbia ka forcën më të madhe ushtarake në rajon – ajo është në vendin e 61-të dhe është vlerësuar se ka tendencë për rritje të fuqisë ushtarake.

Menjëherë pas Serbisë është Kroacia, e cila është në vendin e 62-të dhe Bullgaria në vendin e 67-të.

Forcat Ushtarake të Shqipërisë janë në vendin e 115-të.

Mali i Zi është në vendin e 132-të e Maqedonia e Veriut në vendin e 135-të. /Zëri