Drejtori i Psikiatrisë: Raportova në Polici për komente të këqija kundër meje në rrjetet sociale, jo për kërcënim

Drejtori i Psikiatrisë: Raportova në Polici për komente të këqija kundër meje në rrjetet sociale, jo për kërcënim

Aktuale August 09, 2022 - 12:02

Të hënën drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, ka raportuar në Policinë e Kosovës për një rast të komenteve të këqija në rrjete sociale drejtuar atij, nga një person tjetër.

Kutllovci demantoi lajmin se është kërcënuar, siç u raportua të martën. Ai tha se shkrimet e këqija nuk kanë të bëjnë as me punën që e bën si drejtor i Klinikës së Psikiatrisë.

“Nuk kam qenë i kërcënuar. Kam raportuar një rast të shkrimeve të këqija të rrjeteve sociale për mua. Nuk kam qenë i kërcënuar dhe nuk ka të bëjë me kërcënim, sidomos jo për punën e Psikiatrisë. Rastet që i trajtojmë ne janë raste psikiatrike dhe gjithsesi që mund të ketë komente të ndryshme për ne, kështu që në fund ka qenë raportim i shkrimeve por jo kërcënim”, tha Kutllovci për Telegrafin.

Ndryshe, Policia e Kosovës sot, përmes raportit 24-orësh, bëri të ditur se një udhëheqës pranë Klinikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka raportuar se përmes rrjeteve sociale është ngacmuar, shpifur dhe kërcënuar nga një person tjetër.

“Ankuesi mashkull kosovar udhëheqës pranë Klinikës në QKUK ka raportuar se përmes rrjeteve sociale është ngacmuar, shpifur dhe kërcënuar nga një i dyshuar mashkull. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në raport.