“Kur bohet mirë?!” – YIHR me aksion simbolik në Prishtinë në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë
Foto: Laura Hasani

“Kur bohet mirë?!” – YIHR me aksion simbolik në Prishtinë në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë

Aktuale August 12, 2022 - 12:23

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) sot shënoi Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me një aksion rrugor me slloganin “Kur bohet mirë?!”

YIHR përmes një aksioni simbolik dhe fotografive ka paraqitur situatën në të cilën ndodhen të rinjtë në Kosovë.

Ndryshe, edhe grupi i Deputetëve të Rinj në Kuvendin e Kosovës sot shënoi Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Në këtë seancë, kryeministri Albin Kurti tha se investimi në rini është investimi më afatgjatë.

“Praktikë dhe teori, sistemi dual, na nevojitet një trup universitare e ndërgjegjshme, shkolla moderne e të frytshme, përdorim maksimal i të dhënave të natyrës që disponojmë. Pjekuri politike dhe pasion rinor, kjo duhet të jetë. Puna me rininë i ngjan punës me natyrën, e në të dy rastet kemi të bëjmë me ekologjinë. Duke mbrojtur rininë e mbrojmë shoqërinë, e mbrojmë vetveten”, tha Kurti.

“Qeveria duhet të shoh projektet e investimeve të mëdha, i riu duhet të shoh projektet e mundshme me jetën e tij. Kalituni, ngrituni si individë, por formoni sa më shumë shoqata e organizata drejt institucioneve dhe shtetit, sepse individët bëhen më të zot e më të mirë kur jemi bashkë, kur rrimë e punojmë bashkë”, tha Kurti.

Kurti foli për arsim cilësor si diçka e domosdoshme për zhvillimin e të rinjve.

“I takon shkollës ta vendosë të riun në kontakt me talentin e vet. Shkolla e mesme është shumë e rëndësishme, të rinjtë duhet kërkojnë cilësi, i riu nuk mëson sa për diplomë e punë, ai arsimohet për një jetë të tërë. Mos prisni cilësia të jetë ofertë, cilësia duhet të jetë edhe kërkesë. Duhet ta kërkoni atë dhe jo vetëm të prisni t’iu ofrohet ajo”, është shprehur ai.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Rinisë shënohet më 12 gusht të çdo viti. Ajo është caktuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 me miratimin e rezolutës 54/120.

Kjo ditë është menduar si një mundësi për qeveritë dhe të tjerët për të tërhequr vëmendjen për çështjet rinore në mbarë botën. /telegrafi