KESCO propozon dyfishim të çmimit të rrymës [dokument]

KESCO propozon dyfishim të çmimit të rrymës [dokument]

Aktuale August 12, 2022 - 22:32

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) rritje të tarifave të energjisë elektrike në gati 100%.

Kjo u bë e ditur nga ZRRE-ja, e cila gjatë ditës së sotme e ka publikuar propozimin e KESCO-s.

"Furnizuesi me Shërbim Universal (FSHU) me datë 12 gusht 2022 ka dërguar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) propozimin për tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët që furnizohen nën kushte të shërbimit universal (konsumatorët e rregulluar). Ky propozim vjen si rrjedhojë e kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale nga FSHU. ZRRE është duke shqyrtuar arsyeshmërinë e propozimit të FSHU-së dhe në ditët në vijim do të njoftojë publikun për veprimet që do të ndërmerren nga rregullatori", thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

KESCO, sipas asaj që ka publikuar ZRRE-ja, ka thënë se kerkesa arsyetohet me mosdisbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të publikuara në tabelën e propozuar nga KESCO, del se rritja e çmimit të rrymës mund të shkojë deri në pothuajse 100 për qind.

Image


Rritja e çmimit, sipas propozimit të KESCO-s, do të prekte kësaj radhe konsumatorët e dy blloqeve tarifore, ata që shpenzojnë më pak se 800kWh në muaj (blloktarifa), dhe ata që e tejkalojnë blloktarifën.

Çmimi aktual i tarifës së ulët: 2.89 centë për kWh

Çmimi aktual i tarifës së lartë: 6.75 centë për kWh

Çmimi i propozuar nga KESCO:

Tafira e ulët: 5.43 centë për kWh

Tarifa e lartë: 12.68 centë për kWh

Çmimi kur shpenzohen mbi 800kWh:

Aktualisht: 5.9 centë në tarifë të ulët dhe 12.52 në të lartën.

Çmimi i propozuar nga KESCO: 11.09 centë për të parën dhe 23.53 centë për të dytën. /Zëri